*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Zëri për drejtësi e paqe i grave të Kosovës nuk është dëgjuar në tryezën e dialogut me Serbinë, ndonëse ka më shumë se një dekadë prejse ka nisur procesi. E edhe ato që janë të përfshira nuk shihen në publik. Aktivistë të shoqërisë civile dhe politologë e kanë shtruar nevojën për më shumë përfshirje, ndërsa zyrtarë qeveritarë kanë thënë se nuk ka qenë ndonjëherë më mirë
Ekipit që e përfaqëson Kosovën në tavolinën e bisedimeve me Serbinë i kanë ndryshuar vetëm emrat. Janë burrat ata që dialogojnë ndërsa gratë, në rastin më të mirë, shihen në prapavijë.
Kaltrina Zeka është në mesin e pak grave, që krahas kryeministrit Albin Kurti dhe kryenegociatorit Besnik Bislimi është e përfshirë në procesin e dialogut, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Ajo është shefe e kabinetit të zëvendëskryeministrit Bislimi dhe ka thënë ta ketë udhëhequr ekipin drejt zgjidhjes së çështjes së targave. Por, Zeka e shtron nevojën për më shumë përfaqësim të grave në procese sikurse dialogu.
“Ndikimi i grave në proces është me rëndësi. Sidomos kur e kemi parasysh që gratë janë shtresa e shoqërisë të cilat kanë qenë ndoshta të prekura në formë më të ndjeshme nga lufta dhe kjo fatkeqësisht nuk është që po ka jehonë të mjaftueshme në Bruksel”, ka thënë ajo.
Kosova ka histori të gjatë negociatash me Serbinë. Mes tyre edhe të zhvilluara në luftë, sikur ishte rasti me Konferencën e Rambuillet. Aty nuk janë parë gratë në front të parë.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me Procesin e Vjenës, i cili i ka paraprirë shpalljes së Pavarësisë së kushtëzuar, e po kështu edhe me negociatat e paspavarësisë.
Vetëm në një periudhë, në dialogun teknik, shteti është përfaqësuar nga Edita Tahiri.
Jeta Loshaj është aktiviste në fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung” dhe e ka shtruar nevojën për më shumë përfshirje të grave në negociata.
“Në Kosovë kanë qenë 20 mijë gra dhe burra që kanë qenë të dhunuar seksualisht dhe është e pakuptimtë që nuk kanë një rol, një vendimmarrje në negociatat me Serbinë, definitivisht shumë e rëndësishme që ato të jenë pjesë e dialogut”, ka thënë Loshaj, menaxhere e programit FES.
Çështja e dhunës seksuale nuk është trajtuar ndonjëherë në dialog.
E gratë nuk kanë pasur rol në proces, ndonëse ka rreth 30 vjet prej kur Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka miratuar Deklaratën e Pekinit, bashkë me Platformën për Veprim, e cila e kërkon rritjen e pjesëmarrjes së grave në zgjidhjen e konfliktit në nivelet e vendimmarrjes.
Politologu, Dorajet Imeri, nuk e sheh të kënaqshëm nivelin aktual të përfaqësimit.
“Roli dhe rëndësia e gruas duhet të reflektojnë edhe në proceset e tjera politike, sidomos në ato në politikën e jashtme, diplomaci, në emërime të veçanta si ambasadorë e kështu me radhë”, ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kaltrina Zeka, e cila ka thënë se është pjesë e shumicës së diskutimeve që zhvillohen në Bruksel, ka theksuar se sheh në Qeveri gatishmëri për më shumë përfshirje të grave.
“Mendoj që nuk ka qenë ndonjëherë më mirë, mirëpo sigurisht që ka hapësirë për një përfaqësim akoma më të madh edhe ka vullnet jashtëzakonisht të madh në lidhje me këtë nga ana e Qeverisë”, ka thënë ajo.
Në janar të vitit 2014, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Planin e Veprimit për Zbatimin e Rezolutës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilën OKB-ja e ka miratuar në vijim të Deklaratës së Pekinit. Mes tjerash, në të si objektiv Kosova ka listuar rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje dhe në proceset e ndërtimit dhe ruajtjes së paqes.