Në Programin e Qeverisë 2021-2025, kryeministri Albin Kurti pati premtuar themelimin e Grantit të katërt të komunave, me qëllim që t’u mundësojë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet për zhvillim të gjithanshëm. Mirëpo ky premtim nuk është realizuar. Kryetarët e disa komunave e fajësojnë Qeverinë, derisa nga Ministria e Financave thonë se janë në fazë të konsultimeve për përmbushjen e këtij premtimi
Vetëm ide ka mbetur Granti i katërt i komunave që do t’u mundësonte atyre të konkurrojnë me idetë dhe projektet për zhvillim të gjithanshëm.
Ky premtim i kryeministrit Albin Kurti nuk është realizuar tri vjet pasi është premtuar.
E disa nga kryetarët e komunave kanë kritikuar ekzekutivin për mosmbajtje të premtimeve.
Mehmet Ballazhi, kryetar i komunës së Hanit të Elezit, e konsideron të domosdoshëm themelimin e këtij granti.
“Ne me grantin e katërt së paku një balancim për zhvillimin e çdo komune, do të ishte jo diskrimunes, sidomos tash që është ndarja buxhetore, kjo do të ishte e domosdoshme për çdo komunë, pasi nuk do të kishte ndikim politik për ndarje buxhetore”, ka thënë Ballazhi.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se mosthemelimi i këtij granti, ndikon që Qeveria t’i favorizojë komunat që kryesohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Granti i katërt po të realizohej do të ishte një rëndësi e madhe për komunën, sepse do të siguronte mjete shtesë për buxhetin e komunave. Qeveria mban mjete për ministri për të investuar në komuna, por nuk investon. Mirëpo edhe nëse ndodh investimi, ka shpërndarje jo korrekte, pasi favorizon komunat që janë të kryesuara nga Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur Totaj.
Se Qeveria i favorizon komunat për ndarje të buxhetit, që kryesohen nga Lëvizja Vetëvendosje e thonë edhe nga Instituti GAP.
“Qëllimi i këtij granti ka qenë që të parandalohet ose pamundësohet që ministritë e linjës të japin para për komuna bazuar në preferenca lokale, partiake apo edhe personale. Ky premtim është jo i përmbushur dhe, siç ka konstatuar Instituti GAP në fund të vitit të kaluar, është hasur në buxhetin e shtetit se qeveria ka favorizuar me projekte kapitale komunat e udhëhequra nga VV-ja, pra mungesa e grantit të katërt hap rrugë për favorizime të tilla”, ka deklaruar Bekim Salihu zyrtar i Institutit GAP.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se është në dorën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për themelimin e këtij granti.
“Pas kërkesës së kryetarëve të komunave në atë takim të përbashkët, ministri Hekuran Murati ka vendosur kokë në vete që ta tërheqë nga strategjia legjislative, ky projektligj është në sirtar të ministrit Murati që disa vite, dhe tani është në vullnet të tij ta procedojë më tutje, ose ta ndalë siç e ka ndalë në vitin 2022”, ka thënë Ibrahim.
I pyetur për mosthemelimin e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Agon Dobruna, ka thënë se janë në fazë të konsultimeve për përmbushjen e këtij premtimi.
“Unë nuk di ndonjë Qeveri që ka pasur mbështetje më të madhe për komunat për shkak që buxheti për komunat është më i madh për dallim nga Qeveritë e tjera. Këtë premtim që po e përmendni jemi në faza të konsultimeve”, ka theksuar Dobruna.
Përveç themelimit të Granitit të katërt të komunave, në programin qeverisës 2021-2025 është paraparë edhe krijimi i Agjencisë Zhvillimore, si mekanizëm për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura e cila po ashtu nuk është realizuar.