Regjistrimi i fundit i popullsisë ka nxjerrë të dhënën se tri komuna ku shumicë ishin serbët tani dominohen nga shqiptarët. Ato janë Graçanica, Novobërda dhe Kllokoti. Demografët tregojnë arsyen e këtij ndryshimi. Thonë se në këto komuna ka lëvizje të popullsisë e në radhët e serbëve dominim të të moshuarve
Ndonëse njihen si komuna të banuara me shumicë serbe, Graçanica, Novobërda dhe Kllokoti janë të dominuara nga shqiptarët, ka treguar rezultati i regjistrimit të 2024-s, i kryer nga Agjencia e Statistikave.
Në krahasim me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, Komuna e Graçanicës ka 6149 shqiptarë më shumë. Rezultati tregon se dallimi mes shqiptarëve dhe serbëve është 63. Kësisoj, në këtë komunë janë 8.623 shqiptarë e 8.560 serbë. Dallim shumë më i madh është në dy komunat e tjera.
Në Kllokot jetojnë 3 mijë e 801 shqiptarë dhe 606 serbë, kurse në Novobërdë 3 mijë e 801 shqiptarë dhe 606 serbë. Demografja Mimoza Dushi tregon arsyet pse këto komuna dominohen nga shqiptarët.
“Popullsia serbe në Kosovë nuk është popullsia me grupmoshën e mesme, është popullsia që po shkon nga moshimi, prandaj ato prona të popullsisë serbe ndodh janë shitur. Por që popullsia serbe në moshën e mesme, në moshën e punës nuk është shumë aktive në Kosovë, jo mjaftueshëm sa ne e preferojmë, pra dominon popullsia e moshuar, pra nuk shohin perspektivë në Kosovë”, ka thënë ajo.
E sociologu Genc Xërxa thotë se migrimi i popullsisë serbe ka ndikuar që komunat me shumicë serbe të dominohen nga shqiptarët.
“Kemi lëvizje demografike apo migrime të ndryshme, tash në shumë zona duke ditur zonat kadastrale apo pronat e ndryshme brenda komunave të caktuara, të cilat hynin etnikisht të një kombësie, dita-ditës po vjen deri te përzierja dhe pajisja e pronave të ndryshme në ato qarqe. E shohin si zhvillim apo si perspektivë shumica e komuniteteve joserbe, që të jenë pjesë e asaj komune dhe kjo detyrimisht ka ndikuar, por janë edhe faktorët e migrimit të popullatës serbe drejt Serbisë apo edhe vendeve të tjera evropiane”, ka thënë ai.
Sipas rezultateve të regjistrimit, në Komunën e Shtërpcës jetojnë 2.626 shqiptarë e 8.080 serbë, kurse në atë të Parteshit 3.221 serbë e 13 shqiptarë.
Në katër komunat e veriut, ku janë të koncentruar serbët, procesi i regjistrimit është bojkotuar.
Agjencia e Statistikave të Kosovës të enjten ka publikuar rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Bazuar në këto rezultate, Kosova ka 1.602.515 banorë.
Të dhënat e para përfundimtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se rreth 150 mijë banorë ka më pak vendi krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.
Sipas statistikave, struktura etnike e vendit mbetet kryesisht e pandryshuar: 91.76% e popullsisë janë shqiptarë, 2.31% serbë dhe në përqindje me të ulët - boshnjakë, turq, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Struktura fetare e Kosovës dominohet nga besimi islam, ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.
Sipas rezultateve, krahasuar me vitin 2011, grupmosha 0-14 vjeç ka pësuar ulje prej 6.07%, grupmosha 15-64 vjeç ka shënuar rritje prej 1.83%, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar rritje prej 4.26.
Shkalla rurale është zvogëluar nga 62% në vitin 2011, në 49.8% në vitin 2024.
Sipas rezultateve, për herë të parë, popullsia urbane (50.2%) e kalon atë rurale me (49.8%).
Regjistrimi i popullsisë për vitin 2024 u zhvillua nga data 5 prill deri më 24 maj, ndërsa regjistrimi i diasporës vazhdon deri në fund të vitit.