Arbëri

Gra të divorcuara ankohen për ish-bashkëshortë që i ikin alimentacionit

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

 

Prindër të shkurorëzuar që kanë kujdestarinë mbi fëmijët e tyre, ankohen se kanë shumë sfida në sigurimin e alimentacionit nga ish-bashkëshortët. Faj u vënë gjykatave, që nuk i trajtojnë me prioritet rastet. Nëna vetushqyese, por edhe monitorues të gjykatave thonë se prindërit që duhet ta paguajnë alimentacionin, shpesh i fshehin të hyrat për t’iu shmangur detyrimit ligjor, dhe ndaj tyre nuk merren kurrfarë masash.

Mbi shtatë vjet iu deshën Arjeta Gashit që përmes gjykatave ta realizojë të drejtën e alimentacionit për djalin e saj, apo pagesën nga ish-bashkëshorti për rritjen e fëmijës.

Procesi i gjatë gjyqësor arriti të përmbyllej tek pas kallëzimit penal që ajo bëri ndaj të atit të fëmijës, i cili refuzonte ta kryente obligimin ligjor si prind.

“Më ka marrë kohë natyrisht, mirëpo në fund e kam realizuar një të drejtë të fëmijës tim”, thotë Gashi. “Nuk është se e kam kërkuar për veten time. Thjesht jam përpjekur të realizoj të drejtën e fëmijës tim, të cilën edhe e kam arritur pas shumë viteve, 7-8 vjet”.

Ligji për familjen kërkon që në rast të shkurorëzimit, prindit të cilit i është hequr kujdesi prindëror nuk lirohet nga detyrat për t’i mbajtur fëmijët e tij.

Nënat vetushqyese përballen me sfida, meqë shpesh refuzohet të paguhet alimentacioni.
Arjeta Gashi, e cila drejton edhe Shoqatën për prindërit e ndarë, thotë se problemi më i madh qëndron te institucionet e drejtësisë. 

“Janë gjykatësit dhe gjykatëset që e pengojnë marrjen e vendimit ose e zvarrisin me vite të tëra marrjen e vendimit për atë dokument, i cili është dokument bazë me të cilin ata detyrohen ta bëjnë pagesën e alimentacionit. Natyrisht asnjë baba, në organizatën të cilën e përfaqësoj, asnjë baba nuk është i gatshëm të paguajë alimentacionin”, ka thënë Gashi.

Gëzim Shala është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe thotë se edhe kur gjykatat veprojnë, zbatimi i vendimeve të tyre është i zorshëm.

“Në shumë raste palët nuk e përmbushin në mënyrë të vullnetshme këtë vendim dhe më pastaj krijohen komplikime në procedurën e ekzekutimit të këtij vendimi”, thotë Shala.

E, avokati Hasan Shala tregon se pas refuzimit të prindit për ta ekzekutuar vendimin e gjykatës, procedohet me padi penale.

“I mbetet për obligim palës, për shembull bashkëshortes, së cilës nuk ia përmbush bashkëshorti obligimin në bazë të aktgjykimit të gjykatës, ta njoftojë prokurorin, kështu që prokurori mund të iniciojë edhe procedurë penale ndaj tij”, ka thënë ai.

Gjatë orvatjeve për t’i ikur obligimit ligjor për alimentacion, prindërit e ndarë, e kryesisht baballarët, i fshehin të hyrat, thotë aktivistja Gashi.

“Deklarimet janë të rrejshme, shpeshherë edhe nga punëdhënësi. Kontratat ata i sjellin me vlerë shumë më të vogël sesa të hyrat që ata i kanë. Pastaj gjykatësit apo sistemi i drejtësisë e ka formën se si t’i identifikojë këto shkelje të cilat bëhen nga vetë baballarët mirëpo ata asnjëherë nuk e marrin si iniciativë”, ka thënë ajo.

Edhe hulumtuesi Shala thotë se raste të këtilla janë evidentuar gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore.

“Ka raste kur persona të cilët përkundër se kanë të hyra, të njëjtat i pranojnë si para kesh dhe jo përmes xhirollogarive bankare dhe kjo është edhe njëra prej aspekteve se pse pastaj është pothuajse e pamundur që përmes procedurës së përmbarimit të përmbushet ky vendim”, ka thënë Shala.
Këtyre pretendimeve nuk iu përgjigjën në Këshillin Gjyqësor, e në Ministri të Drejtësisë nuk treguan nëse synohet të përmirësohet baza ligjore.

Problematike vlerësohet edhe shuma që jepet si alimentacion. Ndonëse ligji përcakton se duhet të kihet parasysh gjendja financiare e të paditurit, gjykatësit nxjerrin aktvendime në bazë të praktikave, për pagesë rreth 150 euro në muaj.