Arbëri

GLPS: Themelorja anuloi vendimin e Komunës për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi

germia

Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia. Vendimi erdhi tri vjet pas padisë nga GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe OJQ “Qytetarët Aktiv”.

“Gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e datës 16 prill 2024, pasi ka administruar të gjitha provat e bashkëngjitura nga Paditësit, ka ardhur në përfundim se ka bazë të mjaftueshme për të konstatuar kundërligjshmëritë që e kanë karakterizuar nxjerrjen e vendimit të Komunës së Prishtinës, datë 26 gusht 2020, për lejen mjedisore të projektit ‘Parku i Aventurave’”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.

GLPS ka thënë se gjykata u ka dhënë besim të plotë provave se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, duke shpjeguar më tej se, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili përcakton se kufizimet e komunës për vendimmarrje për një kategori të projekteve me kapacitete më të mëdha sesa ato që listohen në këtë Udhëzim, ku bën pjesë edhe projekti “Parku i Aventurave” rregullohen me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Dhe se gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata  jetojnë.

Lidhur me këtë rast, ende është në fuqi vendimi i Gjykatës Supreme i datës 10 nëntor 2021, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen përfundimtare të rastit.