Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të Botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022.
Shifrat i referohen “Fondit Monetar Ndërkombëtar” në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.
Sipas këtyre të dhënave Kosova është më e varfra në rajon dhe renditet e 105-ta në botë, mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB (Bruto Produkt të Brendshëm) për frymë me 13,964 dollarë. Kosovën e pason Shqipëria e cila renditet e 90-të në botë me PBB për frymë me 17,383 dollarë. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia me 23.904 dollarë dhe Maqedonia e Veriut me 19.726 dollarë, të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht.
Bosnjë-Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.
“Global Finance” thekson se matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.
Sipas këtyre matjeve konkludohet se kombet më të pasura janë pikërisht ato me GDP-në më të lartë si Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia apo Gjermania.
Për të vlerësuar se sa të pasur janë qytetarët e një vendi, është e nevojshme të kuptohet se sa mund të blejnë. Sipas kësaj metodologjie vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140,694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari.
Në fillim të listës vijojnë edhe vende si Zvicra Emiratet e bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara në vend të shtatë me 76,027 dollarë për frymë. Ndërkohë që vendet më të varfra të botës sipas listimit të PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse tregon se në fund të listës janë vende si Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.