Arbëri

Gjysmën e ligjeve të miratuara për një vit, Kuvendi i miratoi për një ditë

Vetëm për pak orë, Kuvendi ka miratuar gati aq ligje sa gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit. Vendimmarrja është kryer pa praninë e opozitës. Miratimin e shpejtë të ligjeve jashtë afateve që parasheh Rregullorja e Kuvendit, opozita e cilësoi kontrabandim, e në shoqërinë civile thanë se kjo përbën praktikë jodemokratike

Gjysmën e punës që e kanë bërë krejt vitin, deputetët e bënë vetëm dje në dy seanca të rregullta e në një të jashtëzakonshme. Që nga fillimviti Kuvendi miratoi 44 ligje e vetëm të enjten 20 sosh. Votimi u bë pa praninë e opozitës e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.

Rregullorja përcakton se shqyrtimi i dytë i një projektligji nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit të tij në parim. Kjo përjashtohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pa gjendje të tillë, deputetët e subjekteve politike në pushtet miratuan 13 ligje në të dy leximet, 7 të tjerat u miratuan në lexim të dytë, prej tyre 4 u futën në rend dite me mocion. Kjo formë e votimit të ligjeve, sidomos pa prezencën e opozitës sipas monitorueses së punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Violeta Haxholli, është kundër frymës demokratike.

“Ka qenë një praktikë aspak demokratike, në kundërshtim me parimet e demokracisë që edhe ne si shoqëri civile proklamojmë. Nuk do të duhej të ndodhte një procedurë e tillë e përshpejtuar. Ka qenë zhgënjyese edhe qasja e opozitës që nuk ishin prezentë në ato seanca për të siguruar një lloj kërkim llogarie ndaj Qeverisë”, ka thënë Haxholli.

Kuvendi i nisi punimet të enjten në 11:30 me një orë e gjysmë vonesë dhe i mbylli rreth orës 12 pas mesnatës. Pas pritjes më se njëorëshe, opozitarët u larguan nga salla, pa u hapur seanca. Për të enjten, Kryesia e Kuvendit caktoi dy seanca, por të tretën, atë të jashtëzakonshmen, pushteti e caktoi aty për aty. Këto veprime të grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe atij multietnik deputetët opozitarë i kritikuan jashtë Kuvendit.

Por vetëm dy prej tyre, Besnik Tahiri e Pal Lekaj, mbërritën në seancën e jashtëzakonshme që t’i shprehnin shqetësimet, pak para përfundimit të saj. 

“Mirë se na erdhe! Deputeti që qohet në 12 të natës prej Bradashi dhe vjen në Kuvend të Kosovës është për t’u përshëndetur. Prandaj ia japim fjalën”, deklaroi kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke iu drejtuar deputetit Tahiri derisa bëri përjashtim që t’ia jepte fjalën për deklarim.

Deputeti opozitar kërkoi të dinte jashtëzakonshmërinë e mbledhjes së deputetëve.

“Unë bashkë me deputetin Pal Leka, po vijmë prej Novosellës së Gjakovës, jo prej Bradashi. Më së pari, pyetja e parë është, a na e ka mësy dikush, a ia ka mësyrë dikush Kosovës, a Rusia, a Kina a? Çka jeni duke bërë?”, u shpreh ai.

Deputeti opozitar e quajti kontrabandim ligjesh mënyrën e miratimit të tyre nga opozita.

“Kjo nuk ka asnjë kuptim, ashtu siç e thashë në postim, është një kontrabandim dhe një puç parlamentar si shumicë”, shtoi Tahiri.

Me konstatimin e tij ironizoi Konjufca.

“E prej atje keni ardhë me na tregu diçka që e lexuam në Facebook në status që e ke shkruar a? Kishe ndonjë diçka më...”, tha Konjufca.

Kjo legjislaturë e Kuvendit deri më tash ka miratuar 282 ligje.