Arbëri

Gjyshja 103 vjeçare: Hjekat m’kanë ba t’fortë

Gruaja 103 vjeçare Gjylë Krasniqi-Elshani, është bërë simbol i sakrificës dhe i përkushtimit për familjen, për të gjithë ata që e njohin. Gjyshja Gjylë, që i përket njerëzve të rrallë që arrijnë moshën mbi 100-vjeçare nuk fsheh ndonjë sekret të jetëgjatësisë - thotë se i është përshtatur rrjedhës me momente gëzimi, por edhe të rënda e shumë tragjike.

Mes tyre ajo kujton periudhën kur burri i saj Aliu, u arrestua dhe dënua me 9 vjet burgim për aktivitet politik.  

"Burri Aliu, nëpër mal u dashke me dalë me marrë bukën. I kishte shokët në bjeshkë. Katër vjet ka nejt nëpër mal, pas 4 vjetëve, e nxunën e qitën shokët, 9 vjet ja dhanë burg. Dy javë nuk e kam ditë që është i gjallë hiq, pas dy javësh erdhi një polic i Kriçkovës, e ka njoftë plakun, e na tha qysh të mundeni me ja bo, një paketë me pru deri te unë në Mitrovicë, unë e shti në ren se në burg është në Mitrovicë...”, rrëfen gjyshja Gjylë.

Burgosja e burrit e kishte vënë atë para sprovës tjetër - ta priste deri sa të dalë nga burgu, apo të shoh një mundësi tjetër jete.

“Kur e çova vajzën për herë të parë, më tha që e ka lejen me u martu. Tha 9 vjet burg i kom, nashta edhe 9 tjera m’i japin e se boj naj problem. Nuk dua me humb kohën ti për mu. Merre çikën shko te baba yt, zoti në hair të qoftë. I thash - këqyr çka po t’tham, Zoti ta çeltë rrugën e hairit, e i thash sa ta kesh frymën ti, le të qojnë ku të duan, martesë tjetër për mu nuk ka as derën e shtëpisë tane nuk kam me e mshelë", ka treguar ajo për momentet e takimit më burrin në burg.

Mungesa e burrit për 9 vjet, ishte vetëm një nga shumë sfidat e saj. Thotë se i kanë vdekur katër vajza në moshat e hershme, dhe krejt vonë edhe një djalë i martuar.

Vdekja e djalit të saj 36 vjeçar në një aksident trafiku thotë se ishte goditje që gati e shkatërroi përfundimisht.

“M’i fali zoti gjashtë fëmijë. Pesë fëmijë më vdiqën, 4 vajza dhe djali 36 vjet, 2 javë pa i bo 37 vjet. E kam shti në dhe në të ri të vet. Ma la grunë me 5 fëmijë. Hjeka kom pasë boll, sa ndalna kujtona çelik isha kanë. Boll zorë u kan, ma zor ski veç me dhanë shpirtin - niher më kanë met fëmijët e mi, tani të djalit”, tregonte ajo mes lotësh.

Teksa flet për këshillat që u ka dhënë nipave e mbesave për shkollën, tregon edhe merakun që ajo vetë ka pas për të. Por, e pranon se afro 100 vjet më parë, shkollimi, e sidomos për vajza “ishte punë s’bëhej”.

“Nuk më ka lanë baba me krye shkollën fillore. Ktyneherë me dal vajzë në sokak, u kon koha e keqe, rinia u kanë e hjekun, e vujtun, se qejf kom pas boll, se me rrejt shkolla është mirë, shkolla t’i jep të gjitha të mirat, unë shkollë nuk kam pasë veç në shtëpi kam punu, natën e ditën me shpirt”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se e mbajti të ndrydhur brenda dëshirën për shkollën, por nuk reshti kurrë që të tjerëve t’ua përcjellë dijen dhe përvojën e fituar nga jeta.

LEXO EDHE: