Arbëri

Gjyqtari që e la të lirë Sekiraqën pritet të kalojë pa pasoja

Nuk do të aplikohet ndonjë masë ndaj kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi, mbi vendimin për ta lënë të mbrohet në liri Enver Sekiraqën, e i cili më pas është arratisur. Kuçi qe suspenduar e në Gjykatën Themelore patën treguar se vendimi është marrë pa i pyetur anëtarët e trupit gjykues. Por tash, paneli hetimor ka konstatuar se vendimi ishte i ligjshëm, ndërsa burime të KOHËS kanë thënë se ai është bazuar në deklaratat që i kanë dhënë anëtarët e trupit gjykues

Rreth tre muaj pas arratisjes së Enver Sekiraqës gjyqtari Agim Kuçi, i cili e pati lënë atë të lirë, pritet që të shpëtojë pa ndonjë masë.

Pasi Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza, kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi, ka vendosur që masën e arrestit shtëpiak atij t’ia zëvendësojë me atë të mbrojtjes në liri, prej së cilës është arratisur.

Këshilli Gjyqësor (KGJK) e ka suspenduar Kuçin nga puna, e arsyetimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka qenë se gjyqtari e ka marrë vendimin në kundërshtim me ligjin, meqë nuk është konsultuar me kolegët e tij të trupit gjykues. 

Por, pas tre muajsh, paneli hetimor ka konstatuar që vendimi është marrë nga të tre anëtarët e këtij trupi. Burime të KOHËS kanë thënë se vendimi është bazuar në deklaratat që i kanë dhënë anëtarët e trupit gjykues, të cilët janë intervistuar. Në Këshillin Gjyqësor nuk kanë folur lidhur me ndryshimin e deklaratave dhe as për raportin.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)... ende nuk e ka pranuar raportin nga Paneli Hetimor dhe Zyra e Disiplinës, kështu që, sapo të pranohet raporti brenda afateve të përcaktuara do të procedohet me rastin, sipas ligjit në fuqi. Prandaj, në këtë fazë të procedurës nuk mund të komentojmë më shumë”, kanë thënë në KGJK.

Albina Shabani-Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është ajo që muaj më parë ka deklaruar publikisht se gjyqtari Kuçi kishte vendosur vetë për t’ia zëvendësuar Sekiraqës masën e arrestit shtëpiak me paraqitje në stacion policor, pa aprovimin e trupit gjykues.

Tani, kur në panelin hetimor anëtarët e trupit gjykues e kanë thënë të kundërtën, kryetarja e Themelores ka refuzuar që të japë komente për këtë rrethanë.

“Në momentin që kryetarja e gjykatës inicion procedurën disiplinore në KGJK, kompetencat e saj përfundojnë dhe për të gjitha pyetjet që ju interesojnë, ju lutemi të drejtoheni në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, kanë thënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo gjykatë e ka dënuar Sekiraqën për të tretën herë për “nxitje të vrasjes së rëndë” të policit Triumf Riza. 

Ndryshe prej dy vendimeve paraprake, kur atij i qe shqiptuar dënimi prej 37, respektivisht 30 vjetësh burgim, Sekiraqa këtë vit është dënuar me 25 vjet heqje lirie.