Arbëri

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë të dorëhequr, prej një viti mbahen në punë

26 gjyqtarë dhe 10 prokurorë serbë, të dorëhequr nëntorin e vjetëm, formalisht kanë marrëdhënie pune me Kosovën. Në Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial nuk treguan arsyet e mosaprovimit të deritashëm të dorëheqjeve

Janë bërë më shumë se një vit prej kur gjyqtarë e prokurorë serbë kanë paraqitur dorëheqjet, por atyre nuk u është shkëputur kontrata ende.

Ata nuk janë paraqitur në punë prej nëntorit të vjetëm, kur serbë të veriut masivisht u larguan nga institucionet.

Për gjyqtarët këtë e dëshmon edhe një raport i Gjykatës së Apelit për vitin 2023, në të cilin shihet se ata nuk kanë trajtuar asnjë rast.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nuk treguan arsyen se pse nuk janë miratuar dorëheqjet e të 26 gjyqtarëve serbë.

“KGJK-ja ende nuk i ka trajtuar dorëheqjet e tyre, prandaj ata vazhdojnë të jenë pjesë e raportimeve edhe në statistika, edhe te lista e burimeve njerëzore”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka miratuar dorëheqjen e 10 prokurorëve, e krahas tyre mban në marrëdhënie pune edhe 22 anëtarët e stafit administrativ që kanë braktisur punën. As në këtë institucion nuk arsyetuan mosveprimin, ndërkaq theksuan masat e ndërmarra në funksion të trajtimit të rasteve.

“KPK-ja fillimisht ka marrë vendim për transferimin e përkohshëm të tre prokurorëve nga prokuroritë e tjera në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, dhe ka bërë shpalljen e brendshme për transferimin e përhershëm të dy prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie, kurse një numër i konsiderueshëm i lëndëve të rasteve të ndryshme që ishin në kompetencë të kësaj prokurorie janë shpërndarë nëpër prokuroritë e tjera”.

Në shoqërinë civile u japin të drejtë të dyja këshillave.

Ehat Miftaraj është drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe thotë se nuk duhet të pranohen dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë.

“IKD në mënyrë të vazhdueshme ka thënë se është lajm i mirë që KGJK-ja dhe KPK-ja nuk po i miratojnë dorëheqjet e tyre, sepse me pranimin e dorëheqjeve të tyre nënkupton që të njëjtit të tërhiqen tërësisht nga sistemi. Kosova ka nevojë që të përmbushë obligimet për të pasur gjyqtarë dhe prokurorë serbë në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Miftaraj.

E, ndonëse formalisht mbahen në marrëdhënie pune, gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr nuk paguhen.

Punonjësit serbë të institucioneve të drejtësisë, në fillim të nëntorit të vjetëm iu përgjigjën pozitivisht vendimit të Listës Serbe për t’i braktisur institucionet lokale e qendrore të Kosovës, në shenjë kundërshtie ndaj vendimeve të Qeverisë që lidheshin me shtrirjen e sovranitetit në veri.