Qeveria e re po synon ta ndryshojë legjislacionin që ka të bëjë me gjykimin në mungesë për krime lufte, për ta mundësuar trajtimin e tyre pa pengesa. Por, njohës të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se propozimi për largimin e disa dispozitave është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Mirëpo, Ministria e Drejtësisë vlerëson se nuk ekziston ndonjë problem në këtë drejtim
Asnjë person në mungesë nuk u gjykua për krime lufte për gati 2 vjet, qëkur Kosova mundësoi zhvillimin e këtyre procedurave. E, qeveria e re vlerëson se kjo ka ndodhur për shkak të disa pengesave që gjenden në Kodin e Procedurës Penale, procedurat për ndryshimin e të cilit tashmë i ka nisur.
Një nga dispozitat që Ministria e Drejtësisë ka kërkuar të largohet është ajo e cila kërkon që një person, për t'u gjykuar në mungesë, duhet të kërkohet së paku pesë herë në shtetin ku supozohet se ndodhet.
Por, Grupi për Studime Politike dhe Juridike tërheq vërejtjen se ndryshimi i propozuar është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS kërkon që mos të vazhdohet tutje me këto procedura. “Çdo evitim i kësaj dispozite që tenton ta sigurojë prezencën e personit që do të akuzohet në procedurë do të mund të konsiderohet që është shkelje e një standardi ndërkombëtar, meqenëse ky standard është i njohur nga vendet demokratike të cilat aplikojnë procedurë të tillë në vendet e tyre. Dhe kjo është kryekëput për sigurinë juridike të atij personi dhe sigurimin e të njëjtit që do të ketë gjykim të drejtë”, ka thënë Hoxha-Zhuja.
Në rast se anashkalohen këto standarde ndërkombëtare, sipas GLPS-së, rrezikohet që aktakuzat eventuale të Prokurorisë dhe aktgjykimet e Gjykatës të mos njihen ndërkombëtarisht.
Por, Ministria e Drejtësisë nuk sheh ndonjë problem me ndryshimin e këtyre dispozitave. “Nuk e shoh problematike si të tillë, sidomos te pika e dytë kur flasim, sepse me mekanizmin e kërkimit përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor mendoj se mjafton në arritjen e parashikimeve të cilat garantojnë të drejtat e palës në procedurë”, ka thënë zëvendësministrja Nita Shala.
Këto ndryshime, sipas Ministrisë, janë kërkuar nga Prokuroria Speciale, e cila është e mandatuar për trajtimin e këtyre raste. Në një deklarim për KOHËN, Blerim Isufaj, kryeprokuror i kësaj prokurorie, ka mohuar se ndryshimi i këtyre dispozitave është në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare.
Për shkak të afatit të shkurtër të mbetur, është kërkuar edhe që prokurorëve kosovarë t’u jepet mundësia për pezullimin e hetimeve në rastet e nisura nga EULEX-i vite më parë, deri në përgatitjen e duhur të lëndëve. Projektligji me këto ndryshime është miratuar në qeveri dhe njëjti i është proceduar për shqyrtim Komisionit parlamentar për legjislacion.