Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e Avokatit të Popullit, i cili pati kërkuar që përfaqësimi gjinor të jetë minimumi 50 për qind, ndryshe nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë që parasheh 30 për qind.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se neni 28 për kuotat gjinore i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Neni 28 (Kuotat gjinore) përcakton që në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30% për qind janë meshkuj dhe së paku 30% për qind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.
Avokati i Popullit pati thënë se vendosja me ligj e kuotës prej 30% për secilën gjini, përbën paragjykim dhe përligj trajtim të pabarabartë, duke marrë parasysh se përqindja gjinore është pothuajse 50% me 50% mes meshkujve e femrave.
Në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet më tej se Kushtetuta nuk përcakton përqindjen e kësaj kuote, kështu duke i lënë hapësirë pushtetit legjislativ ta përcaktojë atë, për të siguruar barazi gjinore.
“...nuk është në kompetencën e Gjykatës të përcaktojë lartësinë dhe/ose përqindjen e kësaj kuote ligjore, por Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka autorizimet e plota që të avancojë përqindjen e kuotës së lartcekur që ndërlidhet me përfaqësimin gjinor në listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, gjithnjë në kontekst të një mase të nevojshme derisa të jetë arritur qëllimi i barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe gjithnjë në pajtim me standardet e përcaktuara përmes mekanizmave të Këshillit të Evropës e të shtjelluara në këtë Aktgjykim”.
Ndaj vendimit ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sapo konfirmoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën duke vendosur njëzëri se niveli i përcaktuar i kuotave gjinore në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garanton përfaqësim të drejtë duke respektuar parimet e barazisë gjinore. Si kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, jam shumë i kënaqur që punën tonë e vulosi edhe Gjykata Kushtetuese krahas vlerësimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë pasi ky ligj kishte adresuar dhjetëra rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si në raport me përmirësimin e integritetit zgjedhor ashtu edhe në garantimin e të drejtës kushtetuese zgjedhore të shtetasve tanë brenda dhe jashtë vendit për të manifestuar vullnetin e tyre të lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri ka thënë se reforma zgjedhore “e realizuar në këtë mandat qeverisës dhe nën udhëheqjen e opozitës parlamentare përbën ndër sukseset e pakta të kësaj legjislature e cila pas një kohe të gjatë mbi 12-vjeçare të zvarritjes së kësaj reforme kishte rezultuar e suksesshme, dhe sot, si e tillë, u konfirmua edhe tërësisht në pajtim me Kushtetutën”.