Arbëri

I jepet një javë afat Shyhrete Berishës për ta precizuar padinë mbi pronësinë

Shyhrete Berisha, e mbijetuar e masakrës në Suharekë, që nga viti 2001 është vënë në kërkim të së drejtës për trashëgim të pronës së bashkëshortit të saj, i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë bashkë me katër fëmijët e çiftit. Por, për të dytën herë, dega në Suharekë e Gjykatës Themelore në Prizren ka kërkuar nga mbrojtësi i Berishës që ta precizojë padinë përderisa avokatët e të paditurve kanë kërkuar që ajo të hidhet poshtë

Shtëpia në të cilën jetonte dhe prej së cilës forcat serbe ia kishin marrë bashkëshortin bashkë me fëmijët, Shyhrete Berishës nga Suhareka i është bërë shkak që për më shumë se dy dekada të frekuentojë gjykatat.

Kërkesa e saj për njohjen e pronësisë mbi shtëpinë ende nuk ka gjetur një epilog, pasi që rastin gjyqësor për çështjen Gjykata e Apelit e ka kthyer në pikën zero.

Shaban Zeqiraj, gjyqtar i Gjykatës Themelore e Prizrenit, dega në Suharekë, ka nxjerrë aktvendim të martën që avokatit të saj t’i jepen shtatë ditë kohë për ta precizuar padinë, me anë të së cilës Berisha e kërkon vërtetimin e së drejtës për pronësi në shtëpinë e banimit dhe në disa prona të tjera të bashkëshortit të ndjerë.

“Duke i pasur për bazë vërejtjet e të autorizuarit, nuk është e qartë se çfarë kërkon. Pasi që edhe Gjykata e vëren këtë fakt, Gjykata merr këtë aktvendim.... Detyrohet i autorizuari i paditëses që në afat prej 7 ditësh, duke filluar nga data 27.4.2022, ta bëjë precizimin e qartë të kërkesës së padisë, të përcaktojë se çfarë kërkon me kërkesë-padi dhe t’ia dorëzojë atë gjykatës”, ka thënë gjyqtari Zeqiraj.

Miftar Qelaj, avokati mbrojtës i Berishës, ka thënë se i qëndron pas padisë dhe deklaratave të bëra në seancat e kaluara.

Precizim i padisë ishte kërkuar edhe në dhjetorin e vitit të kaluar, porse palës në atë kohë i ishin ofruar 15 ditë kohë për këtë.

Shyhrete Berisha, e cila është e mbijetuar e masakrës në Suharekë, që nga viti 2001 është duke e kërkuar të drejtën e trashëgimit mbi pronën e bashkëshortit të saj që ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë, bashkë me katër fëmijët e çiftit. Asaj, pas kthimit në Kosovë nga strehimi jashtë vendit, prindërit e bashkëshortit nuk ia kishin lejuar qasjen në shtëpinë ku kishte jetuar dhe as të drejtën për ta trashëguar atë, duke e nxitur që të ngrejë padi.

Lidhur me rastin avokatët e palëve të paditura kanë kërkuar që Gjykata të bëjë vlerësim të paanshëm dhe të pabazuar në ndjeshmëri, teksa kanë insistuar që padia të hidhet poshtë.

Shpresa Berisha-Rexhepi, avokate e palës paditëse, ka vlerësuar në seancën e së martës se gjykata nuk është institucion humanitar.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për ndjesinë e çështjes. E gjithë Kosova është e ndjeshme, ngase kanë ndodhur gjëra të cilat nuk harrohen. Por gjykata nuk është institucion humanitar. Gjykata zbaton ligjin. Prandaj, propozoj që të veprohet në përpikëri në bazë të udhëzimeve që dalin nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit duke propozuar që padia, përkatësisht kërkesë-padia, të refuzohet si e pabazuar”, ka theksuar ajo.

Shemsie Sheholli, avokatja tjetër e palës së paditur, ka bërë të ditur se padia nuk është e bazuar në ligj.

“E kontestoj në tërësi kërkesën e paditëses si të pabazuar. Posaçërisht parashtresën e të autorizuarit të paditëses për precizimin e kërkesë-padisë, ngase një parashtresë e tillë nuk e përmban bazën ligjore dhe të gjitha elementet e tjera të nevojshme për precizimin e bazës së kërkesë padisë”, ka thënë Sheholli.

Rasti i Berishës ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pas ankesës nga pala e paditur.

Gjatë vitit 2017, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit Berishës i takonte gjysma e shtëpisë, si dhe gjysma e dy ngastrave kadastrale.