Gjykata Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktgjykimin e plotë ndaj Skënder Qerimajt, i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Lirije Qerimaj. Në këtë aktgjykim, të cilin e ka siguruar KOHA, si rrethanë lehtësuese është marrë fakti se ai nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, dorëzimi në polici dhe pendimi për veprën e kryer. Ndërsa si rrethana rënduese, krahas veprimeve ndaj viktimës deri në aktin e vrasjes, janë marrë për bazë vepra penale “lëndim i lehtë trupor”, të cilën e kishte kryer në vitin 2021, si dhe “dhuna në familje” e “mbajtja e paautorizuar të armëve”
Arsyetimi i dënimit me 24 vjet burgim ndaj Skënder Qerimajt, i cili u shpall fajtor për vrasjen e gruas së tij, Lirije Qerimaj, është përmbledhur në tetë faqe nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Në aktgjykimin e plotë, të cilin e ka siguruar KOHA, trupi gjykues ka renditur edhe rrethanat lehtësuese e rënduese, që e çuan deri në marrjen e këtij vendimi.
Si rrethanë lehtësuese është cekur se i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më herët.
“Ndër rrethanat lehtësuese nga ana e të akuzuarit gjykata kishte parasysh bashkëpunimin e përgjithshëm të të akuzuarit me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale, ku menjëherë pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 1 KPRK, është dorëzuar në polici, pendimin e sinqertë që i akuzuari ka treguar në shqyrtimin gjyqësor, si dhe faktin se i akuzuari deri më tani nuk ka qenë i dënuar, dhe se në shqyrtimin gjyqësor, por jo edhe në shqyrtimin fillestar, nuk e ka pranuar kryerjen e veprave penale që i ngarkohen në aktakuzë”, shkruhet në aktgjykim.
Në aktgjykim janë renditur edhe rrethanat rënduese.
“Ndër rrethanat rënduese gjykata ka pasur parasysh sjelljen e mëparshme të të akuzuarit ndaj viktimës, e cila ishte bashkëshortja e tij, ku viktima është dhunuar fizikisht dhe mendërisht për një kohë të gjatë, se vepra penale është: Vrasja e rëndë nga neni 173, paragrafi. 1, nënparagrafi 1.3 i KPRK, përveçqë është kryer ndaj një anëtari të familjes, e cila është element i veprës penale të lartpërmendur, e kryer në mënyrë mizore, sepse viktima është qëlluar 6 (gjashtë) herë me armë zjarri në prani të vajzës së tyre të mitur të përbashkët, si dhe fakti se i akuzuari të gjitha veprat penale i ka kryer me dashje të drejtpërdrejtë, si shkalla më e lartë e qëndrimit psikologjik të autorit të veprës penale ndaj veprës së tij”, thuhet në aktgjykimin 8-faqëshe.
Por, gjykata e ka dënuar edhe për dy vepra të tjera, që Qerimaj i kishte kryer më herët. Ai u shpall fajtor për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, të cilën e kishte kryer në vitin 2021, ashtu si edhe “Dhunë në familje”, “Vrasje e rëndë”, si dhe për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Shkaku edhe i neglizhencës në hallkën zinxhirore në sistemin e drejtësisë, Lirije Qerimaj nga Llausha e Skenderajt u vra nga bashkëshorti i saj pesë ditë pasi që e kishte paraqitur rastin në Polici.
Në këtë aktgjykim shkruhet se gjatë shqyrtimit gjyqësor i akuzuari ka pranuar fajësinë, tek përshkruhen veprimet e tij të pastajme.
“Ai më tej ka shtuar se u kërkon falje të dy familjeve, e veçanërisht fëmijëve të tij dhe se shpreson që një rast i tillë të mos ndodhë më kurrë. Në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari shprehu pendimin për ngjarjet e ndodhura dhe të përshkruara në aktakuzë dhe kërkoi nga gjykata që ta dënojë sa më lehtë”, është thënë aty.
Qerimaj e kishte qëlluar bashkëshorten, Lirijen, 6 herë me armë zjarri në sy të vajzës së tyre të mitur.
Kundër këtij vendimi të gjykatës kishin reaguar organizatat e shoqërisë civile, duke thënë se dënimi i shqiptuar është i ulët. Megjithatë, trupi gjykues në faqen e fundit të aktgjykimit ka thënë se me dënimin e shqiptuar do të arrihet qëllimi për të penguar të tjerët nga kryerja e veprave penale dhe për ta rehabilituar të dënuarin.
“Gjykata vlerësoi se dënimi është shqiptuar në përputhje me dispozitat ligjore të nenit 28 të KPRP dhe se me të do të arrihet qëllimi i dënimit për ta penguar autorin nga kryerja e serishme e veprës penale dhe për ta rehabilituar atë, për të penguar të tjerët persona nga kryerja e veprave penale, për të siguruar dëmshpërblim viktimave ose shoqërisë për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga veprat penale dhe për të shprehur dënimin e shoqërisë për veprat penale, për të rritur moralin dhe për të forcuar detyrimin për respektimin e ligjit” është shkruar në këtë aktgjykim të siguruar nga KOHA.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë ka paralajmëruar mbrojtja e të akuzuarit. Avokati mbrojtës i Skender Qerimajt, Elvir Imeri, ka thënë se rastin do ta dërgojë në Apel.
“Duke pasur parasysh se i mbrojturi im e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës, mbrojtja ka të drejtën e parashtrimit të ankesës vetëm sa i përket llojit dhe lartësisë së dënimit, andaj brenda afatit ligjor do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka thënë ai, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Pasi e pranoi fajin për neglizhencë të rastit të Lirije Qerimajt, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kishte shqiptuar vërejtje publike me shkrim prokurores Stojanka Kasaloviq. Lirije Qerimaj u vra më 5 janar të këtij viti, në shtëpinë në të cilën jetonte së bashku me burrin dhe fëmijët e saj.