Arbëri

Gjykata e obligon Kurtin të dëshmojë, ai paralajmëron vizitë në Gjilan

Në ditën dhe orën e njëjtë, për kur gjykata e ka obliguar kryeministrin Albin Kurti që të dëshmojë në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, është paralajmëruar prania e tij në Gjilan. Në bazë të një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në vendosjen e gurit themeltar të një çerdheje në Gjilan

Për kohën kur Gjykata Themelore në Prishtinë e ka obliguar kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, është paralajmëruar prania e tij në një komunë tjetër për vënien e gurit themeltar të një çerdheje. 

Ministria e Arsimit ka njoftuar të hënën se kryeministri Kurti do të jetë në Gjilan të martën në orën 10:00, orar kur sipas vendimit të gjykatës do të duhej të ishte në prokurori. 

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, do të vendosin gurin themeltar të çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurit themeltar bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në ftesën e MASHT-it. 

I pyetur lidhur me shkuarjen ose jo të kryeministrit në Prokurorinë Speciale, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e ka referuar redaksinë te statuset e postuara të premten. 

Aty, Kryeziu ka vendosur pjesë të letrës drejtuar gjykatës, ku Zyra e Kryeministrit thekson se kryeministri është i gatshëm të japë dëshmi në ambientet e Kryeministrisë e jo në prokurori.

“Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe një herë që kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në njërin nga statuset e tij në Facebook, më 28 shkurt. 

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë thënë se vlen vendimi që e obligon dëshmitarin të dëshmojë më 4 shkurt, nga ora 10:00, në Prokurorinë Speciale. 

Për këtë çështje ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Ky institut ka ngritur shqetësimin lidhur me qasjen e kryeministrit Albin Kurti për mosdhënie të dëshmisë në ambientet e Prokurorisë Speciale mbi hetimet për rezervat shtetërore.

Sipas KDI-së, ky veprim i Kurtit minon parimin bazë të sundimit të ligjit, duke shtuar se "refuzimi i tij ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë".

“Insistimi i kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’iu shmanget thirrjeve të Prokurorisë apo të vendosë vetë se ku do të japë dëshmi, atëherë edhe zyrtarëve të tjerë publikë apo qytetarëve të zakonshëm do t’u krijohen mjaftueshëm alibi për ta legjitimuar këtë praktikë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Instituti tutje ka thënë se në një demokraci të mirëfilltë, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të japin shembull më të mirë në respektim të ligjit.

“Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në reagim.

KDI-ja i ka bërë thirrje Kurtit që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, me ç’rast të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.

“Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, thuhet tutje në reagim.

Prokuroria Speciale e ka ftuar kryeministrin të dëshmojë qysh më 11 dhjetor 2024 në objektin e prokurorisë, por ai nuk u paraqit dhe i propozoi asaj datë e kohë tjetër për t’u intervistuar në zyrën e tij. Urdhri i Gjykatës u mor pasi organi i ndjekjes penale i kërkoi gjykatës ta urdhërojë kryeministrin që të dëshmojë në prokurori. Intervistimi i tij si dëshmitar është paraparë si pjesë e hetimit lidhur me rastin për rezervën shtetërore, ku të dyshuar janë zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë: Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi. Sipas dosjes së Prokurorisë, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare.

Dyshimet e prokurorisë janë se të pandehurit me veprimet e tyre i kanë bërë dëm buxhetit të shtetit me vlerë mbi 600 mijë euro.