Arbëri

Gjurmët e terrorit bullgar të viteve ‘40

Bari është më i gjelbër në shtratin e istikamit të hapur rreth tetëdhjetë më parë. Në pjesën më të madhe të ditës, hija i bie shtratit të njërit prej dy llogoreve në dy anët e kodrës së zhveshur në fshatin Nasalë të Gjilanit.

Edhe fushat e luginës së lumit Morava kanë nisur të zverdhen. Rrezet e diellit përthyhen në gurët e copës së mbetur të “rrugës së bugarit”, që zgjatet ndanë varreve të fshatit me rreth pesëdhjetë shtëpi. Rruga ishte shtruar gjatë Luftës së Dytë Botërore kur rajoni ishte nën pushtimin bullgar.

“Kështu njihet nga njerëzit më të moshuar të këtyre fshatrave”, thotë Ruzhdi Selimi, kryetar i fshatit. Ai tregon se pos synimit për ta shmangur kthesën e trasesë së vjetër, fshati vendosi që të mos asfaltonte një pjesë të rrugës, si dëshmi e sakrificës së gjyshërve që nën kërcënimin e armëve të ushtarëve bullgarë po ndërtonin infrastrukturën rrugore në fillim të viteve dyzetë të shekullit të kaluar, shkruan Koha Ditore.

Në hyrje të fshatit, tabela e kaltër e rrugës “Emin Emini” është një tjetër shenjë që ua kujton të moshuarve dëshmitë të përcjella brez për brezi për torturat bullgare ndaj fshatarëve nga Mbretëria Bullgare, atëherë në aleancë me Boshtin nazifashist. Poshtë shtëpive, shtrati i Moravës ishte në fakt kufi me Shqipërinë. Kështu i referohen zonës italiane të pushtimit, ku shqiptarët e Kosovës përjetuan “tri ditë Shipni”, sikur se u referohen autoriteteve të emëruara nga Qeveria shqiptare që kishte dërguar edhe mësues.

“Në Remnik, bullgarët i kanë varrosur njerëzit për së gjalli”

Matanë lumit, po jetësoheshin të drejtat elementare të shqiptarëve, përderisa këndejpari, shqiptarët po përjetonin tortura të tmerrshme. “Në Remnik, bullgarët i kanë varrosur njerëzit për së gjalli”, tregon Selimi në istikamin e anës së majtë të kodrës, me pamje kah fshatrat e Vitisë.

Pas nja tridhjetë minutash, Selimit i duhen disa minuta për t’ia mbushur mendjen Ramadan Eminit, para dyerve të oborrit, që të rrëfejë historinë e dhimbshme të familjes. Emini, 71 vjeç, fillimisht merr frymë thellë para se të tregojë dëshminë e treguar nga baba Maliqi për gjyshin Emin Emini, të masakruar në oborr para familjes nga dy ushtarët bullgarë. Pushtuesit ishin lëshuar nga istikamet lart në kërkim të Eminit.

“Ngo”, e nis rrëfimin Ramadan Emini, duke u ndalur pak për ta shtuar vëmendjen e nipave afër. “Po, më vjen keq me fol, por edhe spiunazha jonë ia ka ba sherrin gjyshit”, thotë ai, duke shtuar se familja e Eminit ishte “derë e madhe”.

“Oda e vjetër e Beqës tonë, vëlla i Eminit, kurrë nuk ish pas mshelë ditë e natë. Njerëzit që kanë shku prej katuneve të Vitisë në pazar në Gilan, një natë e kishin pas kalu te na, kishin pas shku në pazar, edhe kah janë kthy, e kanë ba edhe një natë këtu. Këta tanët kishin pas pasuni mos me ia ditë skejin, krejt punët me rrogtarë i kishin pas kry”, thotë Emini, duke e lidhur krejt këtë me fundin fatal të gjysh Eminit. “Edhe, tha baba, do hishin me fjet, të tjerët ia vjedhshin kafshët e sanakt e qejzit. I kishin pas gjet në livadhe sanakt thatë. Edhe Emini e blen një pushkë, por shqiptarët shkojnë e lajmërojnë bugarin nalt”, thekosn Ramadan Emini. Shikimin hedh sipër kodrës përballë. Kah gjurmët e dy istikameve e karakollit bullgar. Andej kah do të lëshoheshin bullgarët.

“E vrasin para robve t’shpisë”

“Pushkën e kish pas në kosh, edhe tu shku me marr pushkën – ma merr mendja se ai ka rezistu – njani bugar i gjuhet me dy kamtë n’qafë”, mblidhet Ramadan Emini, derisa me shuplaka rrah supet. “Tjetri i mëshon thikë mas shpine. E vrasin para robve t’shpisë. Familja këput Moravën e del kah Shipnia”, shton ai. Ndalet përsëri. Kësaj here, për të mbledhur veten.

Selimi, kryetari i fshatit, thotë se kryetar i atëhershëm i Parteshit në zonën italiane, ishte Ramadan Cërnica. “Njeri përparimtar që ka ndihmuar shumë shqiptarët që torturohehsin nga bullgarët dhe detyroheshin të largohehsin”, thekson ai.

Haxhi Ademi, hulumtuesi në Institutin e Historisë të Prishtinës, “Ali Hadri”, që temë të doktoratës ka Koosvën gjatë Luftës së Dytë Botërore, thotë se sipas marrëveshjes së Vjenës më 1941, Gjermania dhe Italia nazifashiste ishin pajtuar që Bullgarisë aleate t’ia jepnin kontrollin e 103 fshatrave me rreth 60 mijë banorë dhe rreth tetë për qind të sipërfaqes së Kosovës.

“Kështu, në Kosovë zona e pushtimit bullgar përfshinte komunën e sotme të Gjilanit (20 fshatra), të Vitisë (22 fshatra) dhe të Kamenicës (5 fshatra), me një sipërfaqe prej 411 kilometra katrorë dhe brenda kësaj sipërfaqe ishin të përfshirë 32. 196 banorë. Në pushtimin bullgar u përfshin edhe rrethi i Ferizajt (16 fshatra), me një sipërfaqe prej 189 kilometra katrorë në të cilën jetonin 12. 772 banorë, dhe rrethi i Kaçanikut (42 fshatra), me një sipërfaqe prej 300 kilometra katrorë, ku jetonin 15.874 banorë”, shkruan Ademi.

Ai thotë se Mbretëria Bullgare ndiqte politika më të buta ndaj serbëve lokalë, që i konsideronte “bullgarë të Moravës”.

Standardet e dyfishta bullgare

“Për dallim ndaj serbët, bullgarët ndoqën një poltikë tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve gjatë sundimit të tyre (gusht 1941 – shtator 1944). Ata internoheshin, burgoseshin, vriteshin në mënyrat më brutale. Pra, në këtë zonë të pushtimit, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë elementare”, shkruan Ademi.

Pjesa më e madhe e ushtarëve bullgarë ishin vendosur përgjatë kufirit italian-bullgar, ndërsa Shtabi kryesor ushtarak ishte në Zhegër, jo fort larg Nasalës. Ademi, i cili ka hulumtuar në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë për të zbardhur krimet e kryera në zonën bullgare, tregon se si Ramadan Presheva, anëtar i Komitetit të Kosovës, i shkruante Komisariatit të Lartë për Kosovë, Dibër e Strugë-Prizren për terrorin bullgar në krahinat e Shkupit, Kumanovës dhe Preshevës.

“Gjithnjë sipas këtij dokumenti, ‘Më datë 13 të muajit ditë pazari ushtria bullgare kishte vendos mitroljosa me nga nji tete ushtarësh tue mbledhë popullin tue gris qylafet e bardha, që i bjashin në krye qysh prej kohe tue shtërgue se nuk jeni Shqyptar por jeni Bullgar nga këta më tepër se 300 veta u burgosun në Xhamin e Jahja Pashas ku i mbajtën në burg deri më ora 6 mbas dreke’” shkruan historiani Ademi.

Ai ka treguar edhe një informatë zyrtare të Nënprefekturës së Gjlaniit së 4 tetorit 1941, dërguar Prefekturës së Prishtinës për vrasjen e Isuf Hamidit nga ushtria bullgare. Aty bëhej thirrje që të intervenohet nëpërmjet rrugëve diplomatike për të ndalur “hovin e dhunës të ushtruar sistematikisht nga ana e ushtrisë bullgare në dëm të elementit shqiptar”.

Selimi thotë në gjurmët e istikameve bullgare mbi Nasalë se të gjithë ata që refuzonin të rekrutoheshin në Ushtrinë bullgare vriteshin ose u torturoheshin familjet, duke i dëbuar nga zona bullgare, ku të gjithë qytetarët njiheshin vetëm si shtetas bullgarë. Shtëpia e vjetër ku kishin qëndruar bullgarët në Nasalë është rrëzuar kaherë. Por Emini e di se dikur ishte e Zvonkit serb. Nasala ishte fshat multietnik me familje shqiptare, serbe e rome. “Na kemi ardhur prej Bukoshi të Suharekës. Tanët kur kishin pas ardhur, ish kanë vec shpia e Gjorgjit dhe Jova”, thekson Emini.

“Një pulë me pre për veti, dy tjera u dashke me ua çu atyne”

Xhezide Alija, 105 vjeçe, nga Dardania e Ferizajt, por që gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte jetuar me familjen e burrit në Nasalë, ka thënë se familja mezi po siguronte bukën e gojës prej punës fushave e arave që punoheshin me mjete primitive, kur rajoni i Anamoravës do të pushtohej nga ushtria bullgare.

“100 herë më të fëlliqtë se ‘shkijet’ janë kanë bugart”, thekson Alija, duke e fuqizuar pretendimin me një “kuku çka janë kanë ata!”

“Një pulë me pre për veti, dy tjera u dashke me ua çu atyne. Janë kanë të fëlliqtë biro. Katër vjet e majtën bugart atë ven”, ka treguar javë më parë plaka që ka mbijetuar tri luftëra.

“Shumë më të fëlliqtë, kanë thanë pleqtë”, ka thënë edhe Selimi të mërkurën kur është pyetur se si i përshkruanin paraardhësit pushtuesit bullgarë krahasuar me ripushtuesit serbë.

Shtyllë metalike përballë xhamisë e pranë shkollës në hyrje të Nasalës bashkon tabelat e dy rrugëve që dëshmojnë pasojat e dy pushtimeve. Rruga “Emin Emini” lidhet me rrugën që mban emrin e Shaqir Veliut (61), eshtrat e të cilit do të gjendeshin vetëm më 2006 në varrezat e romëve në Kishnicë afër Graçanicës. I biri, Emrushi, e kishte dërguar në spitalin e Gjilanit në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s më 1999. Autoritetet serbe i kishin dhënë atij dhe Selimit dy orë afat për të shkuar dy ditë më vonë për ta parë Veliun, por spitali ishte rrethuar nga forcat ushtarake. U kishin thënë se pacientët ishin dëgruar në Prishtinë. Pasluftës, Emrush Veliut iu tha se babai kishte vdekur pas dy ditësh dhe se deri më 14 prill 1999 e kishin mbajtur në morg. Një i afërm i ka thënë se dikush e kishte parë Shaqirin me qese najloni në duar te rrethi në kryeqytet gjatë bombardimeve.

“Me siguri, baba ka dalë me prit autobus me ardh në shtëpi, dhe e kanë marrë në Graçanicë dhe e kanë vra”, thekson Veliu, pa qenë në gjendje të tregojë se çfarë thuhej në ekspertizën e mjekësisë ligjore. “Nuk e di a ka pas shenja dhune se një kushëri hini në Rahovec me i marr eshtrat se nuk dojke me më ranu”, thotë ai, Fjalët ia mbështet kryetari Selimi, afër shtyllës me tabelat me emrat e Emin Eminit të masakruar nga bullgarët dhe Shaqir Veliut të vrarë nga serbët. Rrugët e paasfaltuara lidhen me atë që shumëkush i referohet ende si “rruga e bugarit”. Nasala ia ka zyrtarizuar së fundmi emrin “Dëshmorët e kombit”. Në dalje të fshatit, copa e vjetër e rrugës së shtruar me gurë nën tytat bullgare dhe emrat në gurët e varreve të çiftit Ukshin e Miradije Ukshini nga serbët në luftën e fundit, ua kujtonë banorëve terrorin e ushtruar nga pushtuesit e shekulit të kaluar.