Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka takuar të shtunën ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët i ka njoftuar “për shkeljet e të drejtave të popullit serb në Kosovë si dhe për hapat që do të ndërmarrë Serbia për këtë çështje”, të njoftuara dje nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Sot filloi fushata diplomatike globale e Serbisë për të drejtat e popullit serb në Kosovë, për shpëtimin dhe mbijetesën e popullit tonë dhe dialogun, si instrument për mbijetesën e popullit tonë”, ka thënë Gjuriq pas takimit.
Sipas tij, qëllimi i masave të paraqitura nga presidenti Vuçiq është mbrojtja e serbëve në Kosovë, ruajtja e dialogut si instrument kyç për normalizimin e situatës në terren dhe eliminimin e pasojave katastrofike të veprimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “i cili shkeli të drejtat kolektive njerëzore, politike dhe ekonomike të serbëve”.
Vuçiq të premten në mbrëmje ka prezantuar shtatë kërkesa e pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës.