Arbëri

Gjuriq pretendon se dy ambasada të Serbisë u kërcënuan nga shqiptarët

Marko Gjuriq

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se ambasadat serbe në dy qytete të mëdha evropiane kanë marrë kërcënime se do të jenë cak i sulmeve terroriste.

Duke folur për “Pink TV” të martën, siç ka thënë ai, nga rezultatet preliminare këto “kërcënime kanë ardhur nga qarqet ekstremiste separatiste të diasporës së Kosovës, nga persona shqiptarë”.

“Në bashkëpunim me trupa evropiane të sigurisë, po punojmë në parandalimin dhe largimin e këtyre kërcënimeve, sepse e theksoj se dikush nga Prishtina ka punuar sistematikisht për vite të tëra që të krijojë klimë në të cilën sulmi ndaj gjithçkaje që është serbe, është i pranueshëm”, ka thënë ai.

Siç ka pretenduar ai, masat e sigurisë në misionet diplomatike dhe konsullore serbe në Evropë janë rritur e se “është identifikuar të paktën një autor i këtyre kërcënimeve”.