Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se dënon ashpër sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, duke theksuar se “regjimi etno-nacionalist i Kurtit nxitoi ta drejtojë gishtin kah Serbia pa prova”.
Gjuriq ka shkruar në rrjetin social “X” të shtunën se “ky akt thellësisht shqetësues i sabotimit kërcënon jetën e individëve në rajon.
“Ibër-Lepenci është rrugë ujore kritike e nevojshme për prodhimin e energjisë elektrike, bujqësisë, ujit të pijshëm dhe mirëqenies së përgjithshme të komuniteteve të cilave u shërben. Veprime të tilla destruktive janë të papranueshme dhe kërcënojnë stabilitetin e brishtë që ne përpiqemi të ruajmë. Ndërsa regjimi etno-nacionalist i Kurtit ka nxituar të drejtojë gishtin drejt Serbisë pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë diversion i qëllimshëm. Duke treguar potencialisht përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit, këto akuza të pabaza minojnë përpjekjet për një dialog konstruktiv dhe shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar tensionet në një situatë tashmë delikate”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se Serbia kërkon pa mëdyshje përgjegjësinë për autorët e këtij sulmi, ndërsa u shpreh se janë të gatshëm të ndihmojë si financiarisht ashtu edhe teknikisht për riparimin e dëmit.
“Serbia është e gatshme, nëse është e nevojshme, të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve në kanalin Ibër-Lepenc, duke treguar përkushtimin tonë për mirëqenien e të gjithë njerëzve në rajon, pavarësisht nga përkatësia etnike apo politike. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse ndërkombëtare të kryejnë hetim të plotë, transparent për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës përgjegjësit për këtë akt. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t'i rezistojnë provokimeve dhe t'i japin përparësi dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit si bazë për një të ardhme të begatë dhe të bashkuar në Ballkan”, ka shkruar kryediplomati serb.
Gjatë konferencës së mbrëmshme, kryeministri Albin Kurti e fajësoi direkt Serbinë për shpërthimin.
Vuçiq: S’kemi të bëjmë me shpërthimin në Ibër-Lepenc, Prishtina e di këtë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të shtunën se Beogradi nuk ka lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe se këtë e di edhe Prishtina, raporton Radiotelevizioni i Serbisë.
Vuçiqi e komentoi shpërthimin në një bisedë me të rinjtë në partisë që drejton.
“Dhe edhe një gjë mësoni nga unë, sidomos ju që jeni në politikë. Kurrë, kurrë mos dilni në rrugë. Asnjëherë. Nuk ka lidhje me të sotmen, por me të nesërmen. Kurrë. Sa herë që dikush të ngacmohet, qëndroni larg dhe mos merrni pjesë në të. Kur të mbarojë, më pas nxirrni konkluzione. Mos merrni vendime nën presion dhe frikë. Çfarë mendoni, pse nuk nxitova në orën 6 të mëngjesit të them se Serbia nuk ka të bëjë asgjë me shpërthimin në Ibër-Lepenc. E dini, nëse do ta bënim atë nuk do të kishim nevojë për asnjë lloj terrorizmi”, ka thënë presidenti serb.
Se shteti i Serbisë nuk ka lidhje me shpërthimin, sipas Vuçiqit, e di edhe Prishtina.
“Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t'u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, të gjitha gjërat bien në vendin e vet. Rëndësi ka vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në vetvete”, ka shtuar ai.
Në territorin e komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës, në orët e mbrëmjes të 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin Ibër-Lepenc, i cili furnizon me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.
Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar direkt Serbinë për përfshirje në shpërthim.