Arbëri

Gjobiten KRU Prishtina dhe KESCO-ja

Nga korriku i vitit të shkuar, kur ka hyrë në fuqi vendimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi që faturat e ujit dhe të rrymës t’u shpërndahen konsumatorëve në zarfe të mbyllura, “KRU Prishtina” e KESCO-ja janë gjobitur me 65 mijë euro në total, shkaku i moszbatimit të tij. Në Agjenci thanë se vendimi ka për synim që ta ruajë privatësinë e qytetarëve, e në këto kompani nuk ofruan përgjigje konkrete për gjobat e marra

Për moszbatimin e vendimit për shpërndarjen e faturave nëpër zarfe, nga korriku i vitit të shkuar e deri në marsin e sivjetmë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i ka shqiptuar gjobë prej 45 mijë eurosh Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ndërsa KESCO-s dënimin prej 20 mijë eurosh.

Vendimi i AIP-së, i cili e parasheh shpërndarjen e faturave te konsumatorët me zarfe të mbyllura me qëllim të ruajtjes së privatësisë, ka hyrë në fuqi që nga korriku.

Tek kanë treguar për gjobat e shqiptuara, në AIP kanë tërhequr vërejtjen për mungesën e informimit të qytetarëve lidhur me rëndësinë e ruajtjes së privatësisë.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi nga viti i kaluar e ka caktuar afatin që u ka dhënë ndërmarrjeve publike që faturimin ta bëjnë në mënyrë të sigurt dhe pa iu mundësuar qasje në të dhënat personale të qytetarëve, personave të paautorizuar. Ne kemi marrë disa ankesa dhe kemi shqiptuar gjobë për ‘KESCO-n’ dhe ‘KRU Prishtinën’. E kemi shqiptuar edhe një gjobë për ‘KRU Prishtina’. Fatkeqësisht qytetarët nuk po e dinë rëndësinë ose nuk janë mirë të njoftuar rreth mbrojtjes së tyre të privatësisë”, thuhet në një përgjigje të AIP-së.

Të pyetur për gjobat e marra, në “KRU Prishtina” nuk dhanë përgjigje konkrete, por thanë se shpërndarja e faturave me zarfe bëhet në vendet ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve.

“Nga muaji qershor 2024 kemi filluar në vazhdimësi shpërndarjen e faturave me zarf. Kjo ndodh sidomos në vende më të frekuentuara, si për shembull në qendra tregtare dhe në banime kolektive. Tenderi është i hapur që nga viti i kaluar dhe kemi siguruar sasi të madhe të zarfeve për shpërndarje me fatura. Procesi po shkon mirë dhe vazhdon të jetë i tillë. Ndërsa te shtëpitë private fatura i shtypet dhe i jepet në dorë konsumatorit, që dallon nga banimet kolektive dhe publike”, thuhet në përgjigjen e “KRU Prishtina”.

As zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, nuk tregoi për gjobat por tha se në planifikim për dërgimin e faturave të rrymës me zarfe janë rreth 700 mijë konsumatorë.

“Siç kemi njoftuar, jemi duke pasur vështirësi të mëdha operative gjatë këtij procesi, sidomos me numrat e shtëpive dhe banesave, mungesën e adresave të sakta të tyre dhe vështirësi të natyrave të tjera. Ne, gjatë vitit të kaluar, kemi vendosur në zarfe dhe dërguar te konsumatorët qindra mijëra fatura. Por, ky është një proces që po merr kohë dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë, është nevoja e një bashkëpunimi ndërinstitucional, ku do të merrej në konsideratë ndonjë alternative tjetër - të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase”, ka thënë Krasniqi.

Vendimi i AIP-së i përfshin të gjitha ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale. Për mosrespektimin e tij, gjoba më e ulët e paraparë është 20 mijë euro, ndërsa ajo më e larta deri në 50 mijë euro.