Arbëri

Gjoba mbi 432 mijë euro për partitë, kryesisht për gjuhë të urrejtjes

Në javën e tretë të fushatës është evidentuar përshkallëzim i gjuhës së urrejtjes që është përdorur në fushatë, thanë përfaqësues të koalicionit të organizatave të shoqërisë civile “Demokracia në Veprim”. PZAP-ja ka shqiptuar deri tash në total 432,400 euro gjoba për subjektet politike, kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse

Shkelje të shumta të kodit të etikës me gjithë gjobat mbi 432 mijë euro që ua shqiptoi partive politike Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka identifikuar koalicioni i organizatave të shoqërisë civile “Demokracia në Veprim” (DnV).

Sipas këtij koalicioni, vetëm gjatë javës së tretë të fushatës janë evidentuar 48 raste ku partitë politike kanë përdorur gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes në aktivitetet e tyre.

“Përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtës është përkeqësuar në javën e tretë të fushatës. Vëzhguesit e DnV-së vetëm këtë javë i kanë evidentuar 48 raste ku partitë politike kanë përdorur gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes nëpër aktivitetet e tyre. Gjatë tri javëve të fushatës në total janë evidentuar 623 raste ku në hapësirën online është përdorur gjuha e urrejtjes, veçanërisht në videot e shpërndara nga partitë politike”, ka thënë Violeta Haxholli, aktiviste në këtë koalicion organizatash.

Mbështetur në të dhënat e DnV-së, edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara nga LVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes – me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara. Pas saj, renditet AAK-ja me 28 për qind të aktiviteteve me gjuhë të urrejtjes, PDK-ja me 23 për qind të aktiviteteve, si dhe LDK-ja me rreth 20 për qind të aktiviteteve të karakterizuara nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes.

Sipas Haxhollit, incidenti në Skenderaj ku një grup qytetarësh tentuan ta pengojnë tubimin e LVV-së, kontribuoi në atmosferën e tensioneve.

“Edhe në javën e tretë fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, me përjashtim të një incidenti në Skenderaj më 27 janar, ku disa qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së duke hedhur mjete piroteknike në lokacionin ku po mbahej tubimi i kësaj partie si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike. Ky akt ishte një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie”, ka thënë Haxholli.

PZAP-ja ka shqiptuar deri tash në total 432,400 euro gjoba për subjektet politike që kanë kryer shkelje ligjore të Kodit të Etikes. Gjobat janë shqiptuar kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike dhe përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore.

LDK është gjobitur me 113,500 euro, LVV-ja me 101,500 euro, PDK-ja me 87,000 euro, AAK-ja 69,700 euro, Koalicioni për familjen me 25,500 euro, Lista Serbe me 13,500 euro, Partia Liberale Egjiptiane me 3000 euro, SRB Demokratija me 7,500 euro, Partia Kosovksi SRBA me 7,200 euro, Nova Stranka me 1,500 euro, IRDK-ja me 1,500 euro dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim me 1000 euro.

DnV-ja ka monitoruar edhe 152 portale dhe media online, dhe ka identifikuar rreth 130 mijë komente, 6 për qind e të cilave përmbajnë gjuhë të urrejtjes drejtuar subjekteve politike.

Sipas Haxhollit, më së shumti kjo gjuhë e këtillë është përdorur kundër kandidatit të LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, i cili ka qenë shënjestër në 7 për qind të komenteve nxitëse. Pas tij renditen kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, me 5 për qind, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, me 4 për qind dhe kandidati i LDK-së, po ashtu me 4 për qind.

Sipas Haxhollit, gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, janë përballur me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online.

DnV-ja ka shprehur shqetësimin edhe për pjesëmarrjen e organizuar të nxënësve në aktivitetet zgjedhore.

Për fushatën në lokacionet e banuara kryesisht me serbë ka folur Dushan Radakoviq, i cili ka thënë se fushata e disa partive serbe është fokusuar kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e zyrave të institucioneve paralele në veri.

“E mira në këtë fushatë është se ka pluralizëm, ku për herë të parë garojnë gjashtë parti serbe. Po mbahen takime të shumta me qytetarë, ka aktivitete derë më derë, po ashtu partitë janë aktive edhe në rrjete sociale dhe kjo jo vetëm në veri”, ka thënë Radakoviq. “Nga ajo që kemi vërejtur është se partitë po e respektojnë ligjin, duke i lajmëruar takimet, ka komunikim me KQZ-në, me Policinë e Kosovës. Kjo është pozitive. Sa u përket programeve, asnjë parti nuk ka dalë me plan konkrete për zhvillim apo integrimin e serbëve të Kosovës. Ka mesazhe negative për Qeverinë Kurti 2, për shkak të vendimeve të fundit që lidhen me veriun, siç është mbyllja e disa zyrave atje”.

Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës, sipas DNV-së.

Në javën e tretë të fushatës DnV-ja ka analizuar edhe shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Të dhënat flasin për rritje të numrit të postimeve si dhe mjeteve të shpenzuara. Vetëm gjatë javës së tretë, sipas DnV-së, janë rreth 3 mijë postime të sponsorizuara, në vlerë prej mbi 50 mijë euro vetëm, që përbën trefishim të numrit të postimeve dhe dyfishim të kostos së shpenzuar, krahasuar me javën e parë të fushatës.

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, vazhdon t’i prijë listës për kah vlera e shpenzimeve në “Facebook” dhe “Instagram”.