Arbëri

Gjinovci: Opozita e pati skandalin para syve, s'e shfrytëzoi. Kjo qeveri merret veç me meremetime

Rron Gjinovci

Opinionisti Rron Gjinovci ka thënë se opozita e ka pasur skandalin e Qeverisë para syve, por nuk e ka shfrytëzuar. 

Sipas tij, skandali ka qenë që Albin Kurti dhe partia e tij nuk di të qeverisë dhe merret me meremetime. 
Gjinovci ka thënë se gabimi i opozitës është se ka tentuar ta bindë publikun se Kurti është i korruptuar dhe pro-serb. 

“Opozita i ka bërë dy gabime. Një grup opozitar është munduar ta bindë publikun që Albini është me Serbinë dhe grupi tjetër që Albini është më i korruptuari që ka ecur ndonjëherë në Kosovë. Skandalin e kanë pasur para syve, skandal është që Albini nuk di të qeverisë, qe Qeveria e tij nuk di të bëjë gati asgjë, pas tre vjet e gjysmë qeverisje, krenaria kryesore e qeverisë janë meremetimet në QKUK. Praktikisht skandali ka qenë para syve të publikut, opozita është munduar të na bindë ne se Albini është i korruptuar dhe pro-serb”, është shprehur ai. 


Spahiu: Opozita gaboi, e sulmoi Kurtin për veriun ku ai doli fitimtar

Opinionisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se opozita nga fillimi ka ndërtuar narrativ të gabuar. 

Ai në emisionin “Konfront”, të enjten, ka thënë se partitë opozitare e kanë sulmuar për veriun, ku sipas tij, kryeministri Kurti ka dalë fitimtar. 

"Nëse s'do ta sulmonte për veriun, atëherë edhe opozita do të mund të merrte hisenë e saj për këtë sukses, por gaboi", ka thënë Spahiu. 

Ndërkohë, opinionistja Dafina Demaku ka thënë se është e sigurt se Kurti në fushatë do të përdorë suksesin në veri dhe asociacionin që nuk e ka themeluar. 

"Por partitë opozitare nuk di se për çfarë do të flasin", ka thënë ajo.


 


Gjinovci: PDK-ja dëshiron të marrë meritat se e çoi vendin në zgjedhje

Opinionisti Rron Gjinovci vlerëson se PDK-ja po e luan mirë lojën në prag të zgjedhjeve. 

Sipas tij, PDK-ja dëshiron të marrë meritat se e dërgoi vendin në zgjedhje. 

"Në anën tjetër LDK-ja e AAK-ja u gjetën të papërgatitura dhe çka po bëjnë tash, po e sulmojnë njëra-tjetrën. Që është gabim", ka thënë Gjinovci. 

Ai kujtoi edhe një deklaratë të liderit të PDK-së, Memli Krasniqi, që ka thënë se edhe ai do të dëshironte dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit, porse kjo është e pamundur. 

"Tash nëse Kurti nuk jep dorëheqje dhe nuk do të japë, Krasniqi shumë mirë e ka thënë 'hajde ta heqim një orë e më parë Kurtin me çdo mundësi që na jepet'", ka thënë Gjinovci.


Spahiu: LDK-ja e AAK-ja u frikësohen zgjedhjeve në verë, PDK-ja synon rolin prijës në opozitë

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po iu frikësohen zgjedhjeve në verë, duke paragjykuar se vota e diasporës do të jetë votë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës po i kërkon zgjedhjet e parakohshme sepse dëshiron rol prijës në opozitë.

“Po paragjykon që prezenca e diasporës do të jetë votë për Albin Kurtin. Në LDK dhe në AAK e kanë të qartë dhe s’janë të gatshëm t’i hyjnë kësaj pune sepse vota për Albin Kurtin ua zbret përqindjen. Ne nuk e dimë cila do të jetë vota, por po e paragjykojmë të gjithë, edhe VV-ja që po do zgjedhje në verë, por edhe të tjerët”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. “Pse po do me hy PDK-ja kryeshytit në këtë rast është se nën 1. Do që të pozicionohet si lidere e opozitës dhe nën 2. lideri i saj (Memli Krasniqi) e ka komoditetin pasi që s’po kandidon vetë si kryeministër dhe çka të fitojë i akreditohet atij e çka të humbet i akreditohet Bedri Hamzës”.


Sopi: Kurti rrezikon t'i humbasë “150.000 votat” e komunitetit LGBT+

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Agim Sopi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti rrezikon t’i humbasë rreth 150 mijë vota të komunitetit LGBT+.

Sopi të martën mbi debatin për shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se pa kalimin e Kodit Civil, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të jetë e gatshme të shkojë në zgjedhje. 

“Dje dhe sot është pritur që të votohen dy ligje të cilat Vetëvendosja është përpjekur t’i shtyjë për një kohë të gjatë, Ligji për Fertilizim të Asistuar që megjithatë sot në lexim të dytë është ndërprerë diskutimi nga kryeparlamentari dhe Kodi Civil që ka mbetur peng i dy neneve. Pa këto dy ligje nuk jam i sigurt që Vetëvendosja është e gatshme të shkojë në zgjedhje për shumë arsye. Komuniteti LGBT ka bërë lista në të cilat janë regjistruar mbi 150 mijë persona me emër dhe mbiemër e me nënshkrim. Ky numër kaq i madh do vëmendje absolute. Nuk mund të kapërcesh mbi atë, në anën tjetër janë 11 deputetë të deklaruar si konservatorë islamikë brenda VV-së dhe po ashtu disa të padeklaruar që po ashtu i bien disa vota”, ka thënë ai. 

Sopi ka shtuar se partia në pushtet aktualisht ndodhet mes dy zjarreve.

“VV-ja ka ngelur mes dy zjarreve. Do të mbetet ose pa votat e komunitetit LGBT+... Kodi Civil do të duhej të kalonte që moti. Këto dy ligje që do të duhej të jenë pjesë fondamentale legjislacionit me marrëveshje të të gjithëve sepse të dyja palët janë realitet i Kosovës dhe të dyja palët duhet të ndihen si në shtëpi të vet”, është shprehur ai.