Arbëri

Gjinekologët të shqetësuar me abortet nëpër ambulancat private - kërkohet ndalimi i tyre

Një abort i kryer ilegalisht në një ordinancë private, ku pasoi me arrestimin e një gjinekologu nga Prishtina, ka ngritur shqetësimet lidhur me kryerjen e kësaj procedure në kushte joadekuate dhe duke shkelur ligjin.

Por institucioni, i cili inspekton institucionet private shëndetësore, nuk ka ofruar të dhëna të sakta lidhur me numrin e inspektimeve të kryera dhe shkeljet që ka hasur gjatë këtyre inspektimeve, raporton KOHA.

Inspektorati Shëndetësor përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se ka kryer inspektime nëpër institucione shëndetësore private, ku inspektorët kanë hasur në moszbatim të ligjit, dhe ka shqiptuar masa.

“Inspektorati Shëndetësor i Kosovës kryen inspektime në institucione shëndetësore publike dhe private që ofrojnë shërbime të ndryshme. Po ashtu, në kuadër të këtyre inspektimeve janë realizuar edhe inspektime në institucionet shëndetësore private që ofrojnë shërbime nga fusha e obstetrikës dhe gjinekologjisë. Ka pasur raste kur Ish-ja pas inspektimeve ka shqiptuar edhe masa për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara gjatë inspektimit”, thuhet në përgjigje.

Ndonëse Ligji për ndërprerjen e shtatzënësisë qartëson rastet kur mund të kryhen dhe cilat janë kushtet që duhet të plotësohen për t’u kryer një abort, Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës thotë të jetë e shqetësuar me veprimet e fundit të disa kolegëve të tyre.

Sipas Shefqet Lulajt, kryetar i Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve., ambulancave private nuk duhet t’u lejohet kryerja e kësaj procedure, e cila konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Në Klinikën e Gjinekologjisë gati pothuajse çdo javë ka kërkesa për kryerje të aborteve. Vetëm gjatë këtij viti 63 aborte janë kryer në këtë klinikë, ndërsa vitin e kaluar 190 sosh.

Por drejtori i Gjinekologjisë, Ismail Jakupi, thotë se të gjitha abortet kryhen pasi rastet vlerësohen nga komisioni.

Përgjigje lidhur me rastet e raportuara dhe të hetuara të aborteve ilegale në institucione private nuk ka dhënë as Policia e Kosovës.

Dy ditë më parë një gjinekolog nga Prishtina u arrestua pasi dyshohet se gjatë shkurtit të këtij viti kishte kryer abortin tek një 13-vjeçare, me ç’rast dyshohet se ka kryer veprën penale ndërprerje e palejuar e shtatzënësisë, ndërsa një tjetër gjinekolog nga Gjilani gjithashtu është duke u hetuar për moslajmërim të veprës penale.