Rreth 80 euro është kostoja e teksteve shkollore në librari për një nxënës që vijon mësimet në nivelin e mesëm të lartë.
Nxënësit thonë se kostoja e librave e rëndon kuletën e familjeve të tyre. Për këtë ata zgjedhin të blejnë libra të përdorur që kostoja e tyre sillet nga 20 deri në 50 euro.
“I kam ble librat e gjeneratës së kaluar, më kanë kushtuar 20 euro komplet”, tregon Dion Veliu, nxënës në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë.
Edhe Toana Sopjani, që vijon procesin mësimor në vitin e dytë të gjimnazit në “Ahmet Gashi”, ka thënë se kostoja teksteve shkollore është e lartë për buxhetin familjar, pasi ka edhe shpenzime të tjera që ndërlidhen me fillimin e vitit të ri shkollor.
“I kemi pesëmbëdhjetë lëndë, disa lëndë i kanë nga dy libra, e librat në përgjithësi më kanë kushtuar 50 euro. Kemi me paguar uniformën e materiale të tjera për shkollë, që në fund është shumë”.
Njësoj mendon edhe kohaniku i Toanës, Haris Ymeri.
“Krejt ende s’i kam ble, janë librat pak shtrenjtë por s’kemi zgjidhje tjetër. Deri tani më kanë kushtuar 30 euro”, ka thënë 17-vjeçari.
Ata theksojnë se librat e gjuhëve të huaja janë më të kushtueshme. Në librari, tekstet e lëndës së gjuhës angleze dhe asaj gjermane kushtojnë 30 euro gjithsej.
Ligji për Arsimin Parauniversitar nuk e parasheh të obligueshëm regjistrimin në nivelin e mesëm të lartë. Me Kushtetutën e Kosovës, subvencioni nga shteti parashihet vetëm për shkollimin e obligueshëm.
Ndjekja e obligueshme e shkollimit është nga niveli parafillor deri në përfundim të klasës së nëntë.
Në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë thënë se shteti duhet të planifikojë subvencionim edhe për nxënësit në shkollën e mesme e të lartë. Visar Islami, nënkryetar i Këshillit, ka thënë se kjo do të rriste regjistrimin e nxënësve në këtë nivel.
“Mbi të gjitha kategoria që kanë nevojë më së shumti që këtu po e përjashtojë 5 ose 10 për qind që në Kosovë i kanë kushtet e mira ekonomike që mundem me jetua mirë e komod që mos të kenë problem çështjet financiare, por shumica prej tyre i kanë problem çështjet financiare për shkak se ju duhet të paguajnë tekstet shkollore, t’i paguajnë uniformat, t’i paguajnë udhëtimet, pasi kryesisht lëvizin nxënësit, i kemi shkollat që në një regjion është një shkollë profesionale si mjekësi apo gjimnazet që janë shkolla regjionale, ku lëvizin pesë gjashtë komuna”, ka thënë ai. “Nëse shteti u heq njërin nga shpenzimet edhe numri i nxënësve që regjistrohen në shkollimin e mesëm do të jetë më i lartë, pasi kjo ndikon që nxënësit të ndërprejn mësimin pas klasës së nëntë”, ka shtuar Islami.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave mbi 67 mijë nxënës vijojnë mësimin në gjimnaze dhe shkolla profesionale, ndërsa në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët mbi 220 mijë fëmijë.
Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për këtë vit shkollor, nxënësit që i vijojnë mësimet në nivelin fillor subvencionohen me nga 80 euro për blerjen e librave, teksa ata të nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën me 110 euro.