Thirrjet që procesi mësimor të mbahet e protesta të ndalet, drejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, Isak Bregaj, i bëri përmes rrjeteve sociale, të martën.
Për organizatorët e protestës ai paralajmëroi masa, mirëpo kërkesa e tij nuk u përfill, e protesta u mbajt.
Të paktë në numër, nxënës e mësimdhënës të këtij gjimnazi kundërshtuan kalimin nga objekti i vjetër në atë të ri.
“Është lokacioni shumë larg për ne, atje janë kabinetet shumë të vogla, klasat shumë të vogla, ne jemi më shumë nxënës”, ka thënë Lisa Salihu, nxënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Kritika ndaj Komunës së Prishtinës, që vendosi për ndërrim të objektit, pati edhe nxënësi Jon Geca.
“Sot jemi më pak nxënës në protestë, sepse dëshirojmë të fillojmë mësimin, vetëm po presim përgjigje, si nga Komuna por edhe nga ana e profesorëve. Me të vërtetë ka qenë diçka e keqe çfarë ka bërë komuna, por tekefundit jemi ata që dëmtohemi, presim që të ndërmerret diçka, edhe pse nuk jemi të kënaqur me kushtet që po na ofrohen”, ka thënë ai.
E mësimdhënësja Tolinda Gojani – Asani, që ligjëron lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin “Xhevdet Doda”, ka thënë se ndryshimi i objekteve shkollore ndikon në cilësinë e mësimit.
“Ne si profesorë qysh në fillim kemi qenë kundër për shkak të zhvendosjes së dytë, se njëherë jemi zhvendosë për shkak se zhvendosja e dytë është shumë e tepërt, shkon në dëm të gjimnazit që është më i mirë në komunë dhe në vend, mandej aty kemi cek shumë pika, ku vijnë tek rënia e cilësisë, ndërsa cilësia vazhdon të bjerë. Kemi bërë një shkresë, por që nuk kemi marrë përgjigje”, është shprehur ajo.
Përveç cilësisë, sipas prindërve, kalimi i nxënësve nga objekti i vjetër në atë të Gjimnazit Matematikor ndikon edhe në sigurinë e nxënësve.
“Ka shumë mangësi atje, nuk jemi kundër reformave dhe duhet me theksua që ne jemi për ngritjen e cilësisë, mirëpo jemi kundër reformave të ngutshme dhe për fushata politike në dëmtimin e fëmijëve tanë. Në atë lokacion nuk ka siguri, ne si prindër jemi të shqetësuar edhe për çështjen e sigurisë”, ka deklaruar Albulena Berisha – Qehaja, kryetare e Këshillit të Prindërve.
Mirëpo drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, tha se ky ndryshim u bë si shkak i mësimit gjithëditor.
“Për ta bërë real mësimin gjithëditor për shkollën “Faik Konica” dhe “Xhemajl Mustafa” na është dashtë ndërtesa ku ka qenë gjimnazi “Xhevdet Doda” dhe për këtë arsye fëmijët e mëdhenj dhe fëmijët e gjimnazeve i takojnë një zone siç është gjithë Prishtina dhe ai gjimnaz është dashur që të lëvizë dhe për këtë e kemi kërkuar mirëkuptimin e tyre pasi që janë të rritur, por disa prej profesorëve po insistojnë, e kuptojmë gjithashtu emocionin që kanë, por nuk mendoj që emocioni duhet të lidhet me ndërtesën, sepse ndërtesa është më e mirë se kjo ku kanë qenë”, ka thënë ajo.
Pas më shumë se disa orë, mësimdhënësit bashkë me nxënësit u larguan nga hyrja e gjimnazit “Xhevdet Doda”, derisa paralajmëruan protesta edhe ditëve në vijim.
Në objektin e vjetër të “Xhevdet Dodës” tash e tutje do të mbahet mësim tërëditor për klasat nga e para deri në të pestën të shkollës “Xhemajl Mustafa”.
E gjimnazistët e “Xhevdet Dodës” janë transferuar në objektin e Gjimnazit Matematikor në Prishtinë.