Arbëri

Gjeta: Dekadë e vështirë për Kosovën, nuk favorizohet më në rrethanat ndërkombëtare

Altin Gjeta

Politologu Altin Gjeta, ka thënë se kjo dekadë do të jetë e vështirë për Kosovën për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike. 

Të enjten në “60 Minuta të KTV-së, Gjeta ka thënë se Kosova nuk favorizohet më si para 2 dekadash në rrethanat ndërkombëtare. 

“Kjo dekadë do të jetë e vështirë për Kosovën sepse nuk favorizohet më në rrethanat ndërkombëtare. Jemi në një moment të ri të marrëdhënieve të Kosovës me Perëndimit dhe duhet të ndërtohet një politikë e re më dinamike që synon t’i ushqejë më shumë marrëdhëniet tradicionale me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë ai. 

Sipas tij, Kosova dhe Ballkani Perëndimor në tërësi nuk janë në fokusin e Bashkimit Evropian, pasi blloku është angazhuar me luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. 

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjeta ka thënë se Kosova duhet ta paraqesë një draft të saj, duke hequr çdo element të mundur të sovranitetit të serbëve të Kosovës brenda vendit. 

“Ajo çka duhet të bëjë Kosova dhe duhej ta kishte bërë me kohë është që duhet të paraqesë draft të saj, duhet të paraqesë version, modalitet të vetin për Asociacionin sepse është e qartë se Kosova nuk mund t’i shpëtojë një forme të caktuar Asociacionit përderisa e ka nënshkruar më 2013 dhe është zotuar më 2015 dhe 2023 për një formë qeverisjeje për serbët në Kosovë. Kryeministri Kurti nuk do të duhej të kompleksohej nga qëndrimet e tij në të shkuarën sepse Asociacioni është çështje e trashëguar. Hapi i parë është draftimi i një modeli të vet sesi e shikon Kosova Asociacionin, duke hequr çdo element të mundur të sovranitetit të serbëve të Kosovës brenda Kosovës”, ka theksuar ai.