Arbëri

Gjermania ua zgjat edhe për një vit mandatin ushtarëve në Kosovë

KFOR, Gjermani

Kabineti federal i Gjermanisë ka vendosur që t’ia zgjasë edhe për një vit mandatin ushtarëve që shërbejnë në Kosovë, ka njoftuar Forca e Armatosur (Bundeswehr) të mërkurën. Tash mbetet në dorë të Bundestagut për ta aprovuar kërkesën.

Për shkak të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas njoftimit, kabineti i drejtuar nga kancelari Olaf Scholz ka vendosur që ta zgjasë mandatin e ushtarëve gjermanë të KFOR-it edhe për një vit.

Aktualisht, Gjermania është prezentë me 290 ushtarë. Numri u rrit pas tensioneve në maj të vitit të kaluar në veri të Kosovës. 210 ushtarë gjermanë i përkasin Komandës Rajonale Perëndimore, e cila është trajnuar për të kontrolluar trazirat.

Kabineti i Scholzit ka vendosur që kufiri i personelit që mund të dislokohet në Kosovë të jetë 400 ushtarë.

Në total, në Kosovë shërbejnë rreth 4800 ushtarë nga 28 vende anëtare të NATO-s.