Akuza në drejtim të Qeverisë për mosarritjen e një dakordimi për CEFTA dhe bllokim të bashkëpunimit tregtar ka hedhur emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili është duke zhvilluar vizitën e dytë në Kosovë brenda 8 ditësh. Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Sarrazin ka thënë se do të shohin mundësinë e ecjes para në marrëveshjet e tregut të lirë edhe pa Kosovën dhe se një refuzim i tillë nënkupton vetëm bllokim të vetvetes.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është duke zhvilluar vizitën e dytë brenda 8 ditëve në Kosovë.
Gjatë qëndrimit të tij, Sarrazin ka thënë se synimi i kësaj vizite është bashkëpunimi rajonal dhe Procesi i Berlinit, derisa ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë për mosarritjen e një dakordimi për CEFTA-n.
Emisari gjerman ka insistuar që Kosova të zhbllokojë futjen e mallrave serbe, një pjesë e të cilave ishte bllokuar nga Qeveria e Kosovës.
Emisari Sarrazin ka deklaruar në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë se ka marrë përgjigje negative nga kryeministri Albin Kurti në kërkesën për një kompromis.
“Tash ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Evropian dhe tash veç mund ta bllokosh veten dhe më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im i sotëm”, ka thënë ai.
Sarrazin ka shtuar së një refuzim i tillë nënkupton vetëm bllokim të vetvetes.
E për mosarritjen e një kompromisi mes kryeministrit Kurti dhe emisarit Sarrazin ka shkruar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka dhënë të njëjtin mesazh për Kosovën.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, ka shkruar Rohde.
E në një reagim të ekzekutivit theksohet se masat ndaj Serbisë nuk kanë të bëjnë me çështje të tregtisë por të sigurisë nacionale.
Këshilltari i kryeministri Kurti ka thënë se Kosova Serbia i ka kushtëzuar zgjidhjen me largimin e masave të sigurisë në pika kufitare mes dy vendeve. Sipas tij këto dy çështje nuk janë të lidhura me njëra tjetrën.
E Përveç marrëveshjes së CEFTA-s, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Sarrazin ka folur edhe për të ardhmen e Marrëveshjes së Ohrit dhe obligimet që të dyja palët i kanë ndaj kësaj marrëveshjeje, si dhe veprimet që emisari gjerman i quan të njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.
E sipas diplomatit gjerman, qëndrimi diplomatik i Gjermanisë nuk ka ndryshuar që Serbia duhet ta njohë Kosovën për në rrugëtimin evropian, ani pse ka ngurruar që të jetë eksplicit për të thënë një gjë të tillë gjatë intervistës.
Ai gjithashtu i ka komentuar edhe raportet e Gjermanisë me Serbinë, marrëveshjen për litiumin me shtetin serb, vizitën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Rusi , si dhe takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin.
E para se të zbarkonte në Kosovë, emisari gjerman Sarrazin ka zhvilluar vizitë edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni të Veriut, në kuadër të zhvillimeve të Procesit të Berlinit, i cili shënon 10-vjetorin e tij.