Arbëri

Gjermania mbështet autoritetet e Kosovës, Rohde kërkon hetim pas sulmit në Ibër-Lepenc

Jorn Rohde

Foto: Driton Paçarada

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar ashpër sulmin në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Ai ka theksuar se Gjermania mbështet autoritetet e Republikës së Kosovës.

“E dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin-Potok që prek komunitetet përreth Kosovës. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka shkruar Rohde në platformën X.  

Të premten ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut - më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan - duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke rrezikuar kështu furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja.

E, të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan.