Emisari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, ka njoftuar se trupat e Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) kanë miratuar 11 vendime, në një mbledhje të mbajtur sot (e mërkurë). Ndërkaq me fillim prej orës 16:00, Qeveria e Kosovës pritet të mbajë konferencë për media lidhur me këtë ngjarje.
Paraprakisht, lëvizje përpara në Ballkanin Perëndimor ka lajmëruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
“Ballkani Perëndimor po afrohet më afër së bashku. Në Procesin e Berlinit ne ishim në gjendje të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendas. Dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, ka shkruar ajo në Twitter.
Postimin e saj e ka shpërndarë Sarrazini që e ka quajtur lajm të mirë njoftimin e Baerbockut. Ai ka thënë se Gjermania pret samit të suksesshëm të Procesit të Berlinit javën e ardhshme.
Lajmërimet vijnë pak pasi Qeveria e Kosovës ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia nga “ndalim” në “kontroll i shtuar”.
Për në orën 16:00, Qeveria e Kosovës pritet të mbajë konferencë, ku pritet të shpalosen edhe më të rejat e fundit nga takimi i CEFTA-s, që po mbahet në Beograd, e ku Kosova po përfaqësohet nga ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Paraprakisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se pret që UNMIK-u të largohet përfundimisht nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA. Bislimi ka thënë se e sheh si një hap pozitiv që një vendim i tillë mund të merret pikërisht në Beograd. Ndërkaq Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë heqjen e ndalesës për mallrat serbe, duke përsëritur se Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë me Serbinë.
Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësues të këtij shteti kërcënuan se, nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e ardhshme.
Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.
Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por sipas Jeton Zulfajt, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.
Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.