Arbëri

Gjermania identifikon tri shkelje që Serbia ia bëri Marrëveshjes Bazë

Ambasada gjermane në Prishtinë ka identifikuar tri shkelje që Serbia i ka bërë Marrëveshjes Bazë, të dakorduar me Kosovën në dialogun e Brukselit. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë nuk folën për mosrespektim të detyrimeve. E njohës të procesit e theksuan mungesën e një mekanizmi që do ta bënte vlerësimin objektiv të zbatimit apo jo të detyrimeve

Tri janë shkeljet që Ambasada gjermane në Prishtinë ka identifikuar se i ka bërë Serbia në Marrëveshjen Bazë të dakorduar një vit më parë me Kosovën, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Në një përgjigje për KOHËN, në këtë ambasadë thanë se Serbia ka shkelur detyrimet duke e shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë, duke e miratuar legjislacionin për vepra penale, si dhe duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

E Kosovës në këtë ambasadë i përmendet detyrimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjermania dhe BE-ja vazhdimisht e theksojnë edhe detyrimin e Kosovës për të vazhduar shpejt me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi në vitin 2022, kancelari Scholz e bëri të qartë: Vendet që nuk e njohin njëri-tjetrin nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Prandaj, përparimi thelbësor në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet kyç për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, asnjëra nga palët aktualisht nuk po i merr seriozisht obligimet kryesore përkatëse të Dialogut. Kjo do të vonojë më tej afrimin e të dy vendeve me BE-në. Kështu, Gjermania u kërkon të dyja vendeve që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht detyrimet e tyre përkatëse të dialogut, pa vonesa të mëtejshme”, ka thënë Sebastian Leuschner nga Aambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Ndryshe nga rasti i Gjermanisë, në Ambasadën amerikane në Prishtinë nuk kanë folur mbi shkeljet e marrëveshjes nga palët në dialog. Derisa ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu mospajtim se Serbia ka bërë shkelje të ujdisë, në Ambasadën në Prishtinë kanë kërkuar që palët të ndërmarrin hapa drejt jetësimit të tyre.

“Politika e SHBA-së mbetet e pandryshuar. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin detyrimet e tyre, sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, si dhe kërkojmë që ato të ndërmarrin hapa konkretë që tregojnë mirëbesim për ta bërë këtë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

E Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS në Bruksel, ka theksuar se në procesin e dialogut nuk janë krijuar mekanizma për vlerësimin, në mënyrë objektive, të zbatimit të marrëveshjeve.

Ai ka thënë se me këtë detyrë janë marrë lehtësuesit e dialogut, shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së, si dhe Komisioni Evropian.

“Në këtë moment, sa herë përmendet mungesa e respektimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, gjithmonë zyrtarët e BE-së, por edhe ata amerikanë, tërheqin vërejtjen se është Kosova ajo që nuk ka bërë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu që, mungesa e hapave nga Kosova tash e një kohë të gjatë po merret si argument për të arsyetuar edhe moszbatimin e obligimeve nga ana e Serbisë”, ka thënë Palokaj.

Lidhur me shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia dhe mospranimin e tyre nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, përgjigje tash e 10 ditë nuk kanë kthyer nga Qeveria e Kosovës.