Pluhur, bërllok e shumë këpucë e rroba të lëna anash e mbi mbulesat e vjetruara të tendave.
Ky vend me një pamje kaq të shëmtuar gjendet pikërisht në kryeqytetin e Kosovës.
Është kjo gjendja e Tregut të Gjelbër të Prishtinës, i cili u la anash e pa asnjë investim që nga paslufta.
E janë tregtarët e Prishtinës ata të cilët çdo ditë vijnë në këtë vend për të punuar, ku shesin ushqim e veshmbathje.
Pa mbuloja e tenda të duhura, ata detyrohen të punojnë edhe kur temperaturat janë në minus.
Qytetarët që e vizitojnë shpesh këtë treg, e krahasojnë këtë pjesë si të ishte në ndonjë nga vendet më të varfra të botës.
Ata kërkojnë rregullim të tregut, ku do të kishte më shumë higjienë.
Kryetari Përparim Rama që në fillim ka premtuar ndërtimin modern të Tregut të Gjelbër. Për këtë, pas marrjes së mandatit, në mbledhjen e tretë të Kuvendit Komunal, ai pati kërkuar kompetencën për nisjen e diskutimeve me Qeverinë për marrjen e këtij tregu nën menaxhim nga AKP-ja.
Mirëpo nga kjo kohë, komuna ende nuk ka ndërmarrë asnjë hapë në këtë drejtim.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se ata nuk kanë pasur ende asnjë kërkesë nga Prishtina për këtë cështje.
“Ju njoftojmë se deri më sot, nuk kemi pranuar një kërkesë nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Vet komuna e Prishtinës nuk ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e KOHËS.
Agjencia Kosovare e Privatizimit thonë se ata janë të gatshëm për çfarëdo lloj diskutimi me nivelin qendror apo komunal për kthimin e këtij aseti nga një ndërmarrje shoqërore në atë publike.
“Ndërsa në lidhje me mundësinë e shndërrimit të kësaj ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike, dhe në rast kërkese për ndryshimin e statusit të ndërmarrjes apo aseteve përkatëse, Agjencia do të bashkëpunoj me institucionet Komunale dhe Qendrore në gjetjen e modalitetit më të përshtatshëm ligjor për transferimin eventual të kësaj ndërmarrje nga pronësia shoqërore në atë publike”, ka thënë Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Për gjendjen e këtij tregu opozita e kritikon qeverisjen Rama.
Asamblisti i Vetëvendosjes, Faton Zeka, thotë së është kohë e gjatë që kryetari ka marrë kompetencat për nisjen e bisedimeve për menaxhimin e Tregut dhe ende nuk ka asnjë rezultat.
Ndryshe, AKP-ja ka marrëveshje me kompaninë “Pastrimi” për mirëmbajtjen e Tregut të Gjelbër. Përkundër kësaj, tregtarët dhe qytetarët kanë ankesa të shumta për shkak të papastërtisë.
Tregu është nën menaxhimin e AKP-së që nga viti 2014, kur ndërmarrja shoqërore “Tregu” është përfshirë në likuidim.