Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarë të Komisionit për Persona të Zhdukur nga Njësiti për Krime Lufte në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të EULEX-it, që nga mëngjesi i së hënës kanë kërkuar për mbetje në këtë fshat të Komunës së Suharekës
Vetura e Policisë së Kosovës, në afërsi të varrezave të fshatit Leshan të Komunës së Suharekës, tregon se atje ka ndodhur diçka.
Edhe kureshtja e qytetarëve që kalojnë andejpari është e madhe, ngase çdo i treti ndalet për të pyetur se çfarë ka atje. Me t’u afruar shihen varrezat e fshatit, të rrethuara me shirita sigurie. E, në mes të varreve është vendosur një ekskavator i vogël, që gërmoi për mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë.
Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarë të Komisionit për Persona të Zhdukur nga Njësiti për Krime Lufte në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të EULEX-it, që nga mëngjesi i së hënës kanë kërkuar për mbetje të të vrarëve gjatë luftës.
Pas më shumë se 30 minutash gërmim, aty ishin gjetur disa eshtra që i përkasin një personi të vrarë gjatë luftës. Ditor Haliti, antropolog në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka thënë se mbetjet janë shumë të rëndësishme dhe se do të dërgohen për analiza.
Ai ka bërë të ditur se procesi i analizave do të zgjasë me muaj, për shkak se mbetjet duhet të dërgohen jashtë shtetit.
“Menjëherë kemi gjetur disa pjesë kockore, të cilat për momentin mund të themi që i përkojnë vetëm një individi, mirëpo do të na duhet t’i dërgojmë për një analizë më të thuktë... Njëherë për njëherë, nuk kemi të dhëna për ndonjë varrezë masive, mirëpo ajo çka është e sigurt është se mund të ketë pasur varreza individuale, klandestine ilegale në këtë zonë, që i konfirmojnë gjetjet që i kem hasur sot”, ka thënë ai.
Ekipit iu bashkëngjitën edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. E, gërmimet në këtë pjesë do të vazhdojnë edhe të mërkurën.
Haliti tregon se si e kishin kuptuar se në këtë pjesë ka varre të luftës.
“Para një muaji, disa fshatarë derisa kanë qenë duke pastruar në këtë zonë, kanë hasur në mbetje kockore në sipërfaqe, apo varrosja shumë e cektë, e që i kanë sjellë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka treguar ai.
Gjatë majit, në kërkim të varreve masive, është gërmuar në afërsi të minierës në Shtaval në territorin e Serbisë, punime që u ndërprenë nga Komisioni i Serbisë, duke mohuar se aty janë varrosur të vrarët gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë vitit 2021, institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe misionin e EULEX-it kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, të cilat rezultuan me gjetjen e mbetjeve mortore të 24 personave, që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.
Edhe 23 vjet pas luftës, në Kosovë rezultojnë ende të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona, emrat e të cilëve nuk figurojnë në faqen e Qeverisë së Kosovës, ani se një gjë e tillë u premtua nga anëtarë të Komisionit për Persona të Zhdukur.