Në Mitrovicë të Veriut qytetarët gjetën disa mbetje mortore në lokacionin në të cilin edhe në të shkuarën u patën gjetur eshtra të personave të zhdukur gjatë luftës. Në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur thanë se eshtrat janë tërhequr nga Institutit i Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. E Instituti pritet të konstatojë nëse këto mbetje u përkasin apo jo personave të zhdukur në luftë
Gjatë përgatitjes për ceremoni mortore, qytetarët në Mitrovicë të Veriut kanë hasur në disa eshtra në varrezat e qytetit, të martën.
Këto mbetje mortore sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ekzaminim më të hollësishëm për të verifikuar nëse i takojnë luftës së fundit në Kosovë.
“Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Komisioni do t’ju njoftojë pas verifikimit dhe konstatimit nga IML-ja, nëse të njëjtat janë me interes forenzik dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
E kryetari i Komisionit Andin Hoti ka treguar për dyshimet e para.
“Qytetarët në fakt jo ne, kanë hasur gjatë punimeve, standarde normal të tyre kanë hasur në eshtra që kanë pasur edhe rroba pranë tyre dhe ju e dini që nuk ka eshtra me rroba që ne varrosim në mënyrë të zakonshme me traditat tona dhe kanë njoftu Policinë e Kosovës. Pastaj Policia e Kosovës ka shkuar në vend të ngjarjes dhe së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore i kanë tërhequr mbetjet”, ka thënë Hoti.
Sipas Hotit, ky lokacion është i njohur dhe me interes për Komisionin për Persona të Zhdukur, meqë edhe në të kaluarën aty ka pasur gërmime dhe janë gjetur mbetje mortore.
“Mbi dhjetë vjet ka këtu. Në fakt nuk kemi qenë ne si komision, por EULEX dhe UNMIK se kompetencë e tyre ka qenë përpara çështja e personave të zhdukur. Gërmimet që janë bërë para 2018 kanë qenë gërmime të EULEX dhe UNMIK, d.m.th. ka mbi dhjetë vjet.... Është një lokacion veç me interes që ne jemi në vazhdimësi duke bërë hulumtime për atë lokacion. Megjithatë nuk kanë mundur me konstatu në vendin e ngjarjes nëse janë apo jo të luftës së fundit në Kosovë dhe mbetjet janë tërhequr për Institutin e Mjekësisë Ligjore që të bëhet një ekzaminim më i hollësishëm”, ka shtuar ai.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti njoftoi se së shpejti do të bëhen gërmime në Kozhle, midis Novi-Pazarit e Tutinit në Serbi, për mundësinë e gjetjes së varrezave masive.
Gjenden mbetje mortore në veri të Mitrovicës
Në Mitrovicë të Veriut janë gjetur mbetje mortore, e pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore i ka tërhequr eshtrat për ekzaminim.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se do të verifikohen eshtrat e pastaj do të dalë me njoftim.
“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore), në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Komisioni do t'iu njoftojë pas verifikimit dhe konstatimit nga IML, nëse të njëjtat janë më interes forenzik, dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”, thuhet në komunikatë.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti kishte treguar se së shpejti do të bëhen gërmime në Kozhle, midis Novi-Pazarit e Tutinit në Serbi, për mundësinë e gjetjes së varrezave masive.