Arbëri

Gjenden mbetje mortore në Podujevë që dyshohet se i përkasin luftës së fundit

FOTO: Ilustrim

FOTO: Ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten ka njoftuar se në varrezat afër Tjegullores në Podujevë kanë gjetur mbetjet mortore të një individi që dyshohet se i përket listës së personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.

Në një shkrim në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se për gjetjet e këtyre mbetjeve janë angazhuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Ministrja ka thënë se gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për “Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur” një vit më parë në Bruksel, duke u zotuar për “qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian”.

Asnjë prej zotimeve nuk është realizuar. Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar vazhdimisht ato të Serbisë për mosbashkëpunim.