Komisioni i posaçëm parlamentar ka përfunduar procedurat e intervistimit dhe testimit të kandidatëve për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Raporti i këtij komisioni i është përcjellë Kryesisë së Kuvendit për miratim. Por shoqëria civile e ka kritikuar komisionin për mostransparencë gjatë përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve. Këtë e ka mohuar Komisioni.
Dy gjyqtarët që tash e sa muaj i mungojnë Gjykatës Kushtetuese pritet të zgjidhen së shpejti nga Kuvendi i Kosovës.
Pasi zgjedhja e njërit prej tyre dështoi në qershor, procedurat e konkursit të përsëritur kanë arritur në fund.
Komisioni i posaçëm ka intervistuar kandidatët dhe vlerësimin e tyre ia ka përcjellë Kryesisë së legjislativit.
“Raporti i Komisionit të Posaçëm përfshin 6 kandidatë me poentimin e caktuar, të cilët duhet të votohen nga ana e deputetëve në njërën nga seancat e ardhshme kur Kryesia e Kuvendit vendos për ta përfshirë në rend të ditës. Votimi bëhet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit të posaçëm.
Në listën e ngushtë janë përfshirë gjashtë kandidatë, shumica prej të cilëve kanë qenë pjesë edhe e konkurseve të mëparshme.
Deputetët e komisionit me më së shumti pikë e kanë vlerësuar Hilmi Jasharin, derisa pas tij vijnë Etrur Maloku, Bashkim Hyseni, Vigan Qorrolli, Bardh Bokshi dhe Shukri Sylejmani.
Por, Instituti i Kosovës për Drejtësi, që është pjesë e shoqërisë civile, kritikon komisionin për mungesë të transparencës gjatë përzgjedhjes së kandidatëve.
“Propozimi i këtyre kandidatëve është bërë në një formë top-sekrete. Askush nga mediat dhe shoqëria civile nuk është ftuar për ta monitoruar procesin dhe që ky fakt definitivisht e cenon edhe integritetin e këtij procesi. Pra, po flasim për një proces ku po përzgjidhen dy anëtarë të pothuajse institucionit më të rëndësishëm në vend”, ka thënë Gëzim Shala nga IKD-ja.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili kryeson Komisionin e posaçëm, mohon kritikat e IKD-së.
“Komisioni i posaçëm ka qenë edhe unanim, edhe i vendosur për transparencë dhe rregullsi. Më vjen keq që ndonjë prej organizatave të shoqërisë civile nuk ka arritur të informohet me kohë nga administrata e Kuvendit për oraret e testimit apo intervistimit. Personalisht kam qenë ithtar dhe përkrahës i vazhdueshëm që të ketë përfshirje sa më të gjerë”, është shprehur ai.
Nga opozita, një qëndrim për ecurinë e procesit ka premtuar se do ta japë edhe anëtari i Komisionit të posaçëm nga PDK-ja, Abelard Tahiri. Pas konfirmimit se një gjë të tillë do ta bëjë të premten, ai gjatë ditës nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.
Mes kritikave ndaj partisë në pushtet për favorizim të kandidatëve të caktuar, pesë muaj më parë, në mungesë të votave dështoi zgjedhja e njërit nga kandidatët për gjyqtar. Në rundin e tretë garonin Vigan Qorolli dhe Haxhi Xhemajli.
Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të marrë 2/3 e votave të deputetëve të cilët janë të pranishëm në seancë dhe që votojnë.