Arbëri

Gërvalla për Urën e Ibrit: Vetëm e hapur shndërrohet në simbol të pajtimit dhe bashkimit

Donika Gërvalla

Foto: Alban Bujari

(E përditësuar 13:15) - Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Ura e Ibrit vetëm e hapur shndërrohet në simbol të pajtimit dhe bashkimit, gjatë konferencës për shtyp të enjten në Prishtinë me homologen nga Finlanda, Elina Valtonen.

Sipas Gërvallës, mbyllja e Urës së Ibrit ka simbolizuar ndarje e përçarje.

“Kemi diskutuar edhe për situatën në veri dhe situatën në urën kryesore të Mitrovicës. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit, duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar para disa muajve për planet për ta hapur Urën e Ibrit. Ndërkombëtarët kanë bërë të ditur se nuk e mbështesin një gjë të tillë. 

Ura e Ibrit, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë. Që nga 31 gushti, forcat e KFOR-it kanë nisur “trajnime periodike” mbi urë.


Gërvalla: Sjelljet e aleatëve të Rusisë në Evropë paraqesin kërcënim për paqen

(E përditësuar 13:00) - Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se sjelljet e fqinjëve dhe aleatëve të Rusisë në Evropë paraqesin “kërcënim të madh për paqen dhe stabilitetin evropian”.

Në një konferencë për shtyp të enjten me homologen nga Finlanda, Elina Valtonen, Gërvalla ka theksuar se Kosova e kupton më mirë se kushdo tjetër rëndësinë për t’i mbrojtur vlerat demokratike. 

Për takimin me Valtonen, kryediplomatja e Kosovës ka thënë se pjesë e rëndësishme e bisedës u përqendrua në sfidat aktuale të sigurisë në Evropë.

“Është kënaqësi ta mirëpres ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen. Kjo vizitë reflekton lidhjet e forta dhe të pandërprera dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona bazuar në vlerat e përbashkëta dhe në një histori miqësie e solidariteti. Pjesë e rëndësishme e bisedës në takim u përqendrua në sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe sjellja hegjemoniste dhe agresive e fqinjëve dhe aleatëve të Rusisë në Evropë paraqesin kërcënim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta, rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje. Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka falënderuar ministren Valtonen edhe për rolin e Finlandës në kuadër të KFOR-it, ndërsa ka thënë se shteti skandinav është shembull që duhet ndjekur për anëtarësim në NATO.

“Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. E falënderova ministren për rolin e rëndësishëm të Finlandës edhe në kuadër të KFOR-it. Jemi të përkushtuar t’i forcojmë marrëdhëniet në NATO. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO dhe mbetet objektiv strategjik. Përvoja e Finlandës, që u bë së fundmi anëtare e aleancës, na shërben si shembull që duhet ta ndjekim me shumë vëmendje”, ka deklaruar Gërvalla.


Valtonen: Finlanda përkrah rrugën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se vendi i saj e mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës dhe po ashtu dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Valtonen në konferencë të përbashkët për media në Prishtinë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Sch]arz, tha se Finlanda është e gatshme të thellojë edhe më tepër bashkëpunimin me Kosovën, përfshirë në fushat si digjitalizim, energji të pastër.

“Ne e kemi mbështetur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe jemi po ashtu mbështetës në rrugën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s...Finlanda është e gatshme të punojë intensivisht për t’i shtuar raportet tona tregtare dhe forcuar sektorët premtues të vendeve tona si digjitalizimi, energjia e pastër. Kemi biseduar për agresionin rus në Ukrainë dhe për Finlandën është e qartë se Ukraina ka nevojë të mbështetet dhe Finlanda do ta mbështesë për aq kohë sa të jetë e nevojshme...Diskutuam për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi të gatshëm të bëjmë çfarë të mundemi të ju mbështesim në rrugën e normalizimit”, tha Valtonen. 



Kryediplomatja e Finlandës arrin në Kosovë

(10:26) - Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, të enjten ka arritur në Aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga homologia nga Kosova, Donika Gërvalla.

Mirëserdhët në Republikën e Kosovës, ministre Elina Valtonen”, thuhet në postimin e Ambasadës finlandeze në Kosovë.

Gërvalla dhe Valtonen do të nisin takimin nga ora 11:00.

Ministrja finlandeze do të ketë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti nga ora 15:00.

Ajo ka planifikuar vizitë edhe në Shqipëri e Serbi.

Qëllimi i vizitës së Valtonen, siç është njoftuar, është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor. “Finlanda mbështet aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE”, është thënë në njoftimin e Ministrisë.

Osmani: Kosova e Finlanda janë partnere të palëkundura

7 muaj më parë / 5 sht 2024 14:59
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura, pasi priti në takim ministren e Jashtme të këtij shteti, Elina Valtonen.

Ajo ka shkruar në Facebook se e ka falënderuar zyrtaren finlandeze për mbështetjen në çdo etapë.

“Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura! Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani të enjten.

Presidentja ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin për forcimin e raporteve mes shteteve.