Arbëri

Gërvalla për anëtarësimin në KiE: Kosova gjithmonë duhet t’i mbipërmbushë kërkesat

Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosovës gjithmonë i kërkohet të mbipërmbushë kërkesa për të fituar mundësitë sikur të shteteve të tjera, teksa ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe liberalizimin e vizave.

Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla ka folur të shtunën për dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në KiE. Ajo ka kujtuar se në Asamblenë Parlamentare Kosova mori mbi 80 për qind të votave pro, ndërsa ministrat e Jashtëm nuk e futën në rend dite për anëtarësim, duke e përmendur çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kriter.

“Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kosova ka marrë votën shumë të qartë me 82 për qind të të gjitha votave që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës, për dhënien e mendimit, rekomandimit për ministrat që ta ftojnë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ndërsa kanë deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat para anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe këtu jemi për momentin”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se shpreson që Kosova të anëtarësohet sivjet në KiE.

“Një është e qartë, kurdo që ndodh, Kosova deri më 24 prill i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Gjithçka tjetër është politikë. Ajo që ishte shumë e rëndësishme për ne në Kosovë për ta arritur ishte të tregojmë standardet më të larta të sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave të njeriut, të drejtave të shumicës në vendin tonë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që ne nga Kosova mund të dërgojmë. Gjithçka tjetër është pjesë e diskutimit që po bëjmë dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi sukses”, ka thënë ajo.

Këtu Gërvalla ka theksuar se Kosovës gjithmonë i duhet t’i mbipërmbushë kërkesat për të marrë mundësitë sikur të shteteve të tjera. 

“Është e vërtetë që Kosova gjithmonë duhet t'i mbipërmbushë kërkesat në mënyrë që ne të kemi të njëjtat mundësi si të tjerët. Liberalizimi i vizave është vetëm një shembull i kësaj dhe ne shohim që në gjashtë muajt e fundit qytetarët e Kosovës mund të gëzojnë të mos jenë populli izolues në Evropë, por jo vetëm Lituania, jo vetëm vendet baltike, jo vetëm fqinjësia jonë, por gjithnjë e më shumë vende të Evropës po e kuptojnë që Kosova nuk është vetëm shtet sovran dhe i pavarur, por shtet ku vlerat evropiane, parimet evropiane janë thelbi i ekzistencës së shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Gërvalla po ashtu ka folur për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe fqinjëve në rajon. Ajo ka thënë se liderët politikë të Serbisë, që ishin ministra në kohën e Millosheviqit, nuk janë distancuar nga e kaluara. Këtu ka përmendur edhe rastin e sulmit në Banjskë, teksa ka kërkuar përgjigje nga ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O`Brien, dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për qëndrimin e tyre për mosdënimin e Millan Radoiçiqit.

“Nëse shikoni përbërjen e kësaj pamjeje të qeverisë së Serbisë, do të shikoni ministra të Millosheviqit, ministra të sanksionuar nga SHBA-ja dhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe do të shihni shumë retorikë hegjemoniste ndaj të gjithë fqinjëve jo vetëm ndaj Kosovës. Ky lidership politik i Serbisë nuk është distancuar nga e kaluara e tyre dhe ata lejojnë që rajoni ynë ta ketë këtë të kaluar për të përcaktuar marrëdhënien tonë të tanishme. Ndërsa ne të gjithë duam dhe punojmë për të parë në të ardhmen është e kaluara e Serbisë që nuk na lë të ecim përpara. Prandaj, për Banjskën, dhe fakti që nuk është dënuar Radoiçiqi apo paraburgoset, do të doja më shumë të dëgjoja zotin O’Brien ose z. Lajçak se si e komentojnë këtë? Sepse në Kosovë e kemi thënë shumë qartë se çfarë është, është një akt i hapur agresioni ndaj Kosovës. SHBA-të e kanë bërë këtë, BE-ja ende nuk e ka bërë, duhet të fillojë të etiketojë atë që ndodhi, pasi duhet etiketuar”, ka thënë ajo.

O’Brien ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar në vazhdimësi dënim për sulmin e Banjskës.

“Ne përveçse besojmë, na është premtuar se Radoiçiqi do ta kalojë procesin e plotë ligjor në Serbi. Është shumë mirë që ai duket se më s’është aktiv në veri të Kosovës sa ishte”, ka thënë ai teksa ka përsëritur pritjet që procesi të përfundojë. “Është pjesë e përkushtimit të shtetit ligjor”, ka thënë ai.

Edhe Lajçaku ka deklaruar se ata që kanë kryer sulmin duhet të ndëshkohen.