Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se nuk mund ta marrin me garanci nëse personi i vrarë javën e kaluar në Serbi është Faton Hajrizi. Sipas ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, edhe pse ka përputhje nga mostra e shenjave të gishtave, deri tash në Serbi gjithçka është në mjegull rreth këtij rasti. E avokati Arianit Koci, pas autorizimit nga familja Hajrizi, ka thënë se më së largu të enjten në mëngjes do të udhëtojë në Serbi për ta marrë trupin e Hajrizit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të mërkurën ka ngritur dyshime për informatën e autoriteteve serbe se personi i vrarë të premten në Serbi është i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi.
Tek ka folur për mungesën e bashkëpunimit me palën tjetër, megjithatë Gërvalla tha se mostrat e shenjave gishtërinjve përshtaten me ato të Hajrizit.
“Bashkëpunimi jo vetëm që është i vështirë, por pothuajse inekzistent në këto fusha. Ne kemi qenë këmbëngulës në kërkesën që trupi i personit të vrarë, kushdo që të jetë ai, t’i kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë informacionet me kohë, me të cilat kemi mundur të pajisemi gjatë kësaj kohe, kemi pasë një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi i cili pas verifikimit në Kosovë është konstatuar të jetë i qytetarit të Kosovës Faton Hajrizi mirëpo nuk kemi asnjë garanci që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka thënë Gërvalla, në një konferencë për media të mërkurën.
Ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës rreth vrasjes së Hajrizit.
“Deri tani gjithçka çka ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Nuk mund t’u themi qytetarëve tanë se kemi informacione të sakta, mirëpo nuk fshehim asnjë prej informacioneve të cilat i kemi marrë, sepse dëshirojmë që edhe qytetarët, edhe mediat të jenë po aq të informuar ose të painformuar sa janë edhe institucionet”, ka theksuar Gërvalla.
Familja e Faton Hajrizit e ka autorizuar avokatin Arianit Koci për ta sjellë trupin e tij në Kosovë.
Koci i ka thënë KOHËS se nuk është nisur ende për në Beograd dhe se është duke përgatitur dokumentet.
“Disa segmente pranë administratës shtetërore po i zvarrisin procedurat në mënyrë të paarsyeshme, besoj. Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra e Kosovës në Beograd çdo kërkesë timen e kanë aprovuar si dhe ma kanë dhënë ndihmën e parezervë. Unë besoj se shumë shpejt do të nisem për Beograd, më së largu nesër në mëngjes. Për momentin i kam disa informacione që nuk mund t’i ndajë me publikun, por kur të vijë koha do t’i shpalos të gjitha informatat që i kam”, ka theksuar Koci.
Të premten e kaluar autoritetet serbe njoftuan se kanë vrarë personin i cili dyshohej se vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër afër kufirit me Serbi e Bosnjë-Hercegovinë. Më vonë u komunikua se i vrari ishte Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë.
Hajrizi është arratisur nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik. Në burg ai fillimisht ishte për vrasjen e një ushtari rus në Skenderaj e më pas edhe për një numër tentim vrasjesh e grabitjesh të armatosura.