Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, ka kritikuar UNMIK-un për, siç tha ajo, shtrembërim të fakteve dhe humbje të kredibilitetit si mision i OKB-së.
Ajo nisi fjalimin duke rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999, si përgjigje ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se Kosova sot është demokraci funksionale, e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“Kosova është shembulli më i mirë se ndërhyrja kundër gjenocidit ka mundësuar lulëzimin e një demokracie perëndimore. Sot jemi shtet sovran, i ankoruar drejt Perëndimit”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja sulmoi retorikën dhe veprimet e Serbisë, duke përmendur sulmin e 24 shtatorit 2023, të kryer nga një grup paramilitar i lidhur me Beogradin, që rezultoi me vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Ajo theksoi se Serbia e ka mbështetur politikisht dhe ushtarakisht këtë grup, duke përsëritur kërkesën për dorëzimin e “kokës” së këtij sulmi, Milan Radoiçiqit. Gërvalla theksoi se Radoiçiqi njihet për lidhjet me krerët shtetërorë të Serbisë.
“Ta quash këtë ‘incident sigurie’, siç bën UNMIK-u në raportin e vet, është shtrembërim i fakteve. Ky ishte akt lufte, akt terrorizmi. Organizatori i sulmit të Banjskës, Radoiçiq, njihen për lidhjen me ministrin e Jashtëm të Serbisë që sot është këtu, Gjuriq dhe presidentin Vuçiq. Radoiçiq ka fotografi publike në kafene në Beograd me Gjuriqin”, shtoi ajo.
Gërvalla po ashtu përmendi aktin e sabotimit më 29 nëntor 2024, kur kanali Ibër-Lepenc u godit me eksploziv, duke rrezikuar jetën dhe mirëqenien e mijëra qytetarëve.
“Vuçiqi kishte thënë se do ta hetonin, por kishte refuzuar të bashkëpunonte në hetimi ndërkombëtar që u bë për këtë sulm. Kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për hetimet ndërkombëtare”, ka potencuar Gërvalla.
Ajo akuzoi UNMIK-un se po i jep jehonë propagandës serbe, ndërkohë që organizata të tjera ndërkombëtare si BE, OSBE dhe Këshilli i Evropës kanë dhënë vlerësime të balancuara dhe objektive për zhvillimet në vend. Sipas saj, UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që ta justifikojë praninë e vazhdueshme.
“UNMIK-u nuk po e pengon Kosovën, por po dëmton kredibilitetin e vetë OKB-së. Raportet e tij shtrembërojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe luftë kundër krimit. Kosova vazhdon të punojë ngushtë me agjenci të tjera të OKB-së, por UNMIK-u nuk përmbush asnjë funksion që do të justifikonte praninë e vazhdueshme, ndërsa organizatat e tjera si OSBE, Këshilli Evropian, BE vazhdimisht ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë. UNMIK-u vazhdon të shtrembërojë faktet, duke e keqorientuar vetë këtë Këshill. Është evidente se si e paraqet raporti përpjekjen legjitime të Kosovës për ta forcuar sundimin e ligjit, për ta luftuar krimin e organizuar... Kosova ka shënuar suksese domethënëse në çmontimin e strukturave ilegale në katër komunat veriore. 13 laborator droge, të përkrahur nga shteti serb që kanë prodhuar drogë për miliona viktima në gjithë Evropë, në vlerë qindra miliona euro, gjitha këto janë çmontuar. Janë gjetur edhe mjete për vepra terroriste. Kjo është mbrojtje të qytetarëve tanë, por UNMIK-u i bën jehonë propagandës serbe”, ka deklaruar Gërvalla.
Ndërkohë përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka deklaruar se qeveria e re e Kosovës është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
Ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka thënë se shpreson se qeveria e re do të krijohet pas zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt.
“Pasi të krijohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”, tha ai.
Ziadeh inkurajojë grupin punues për personat të pagjetur që të punojnë së bashku për të zgjidhur fatin e personave të të zhdukurve, për të cilët familjarët kërkojnë përgjigje.
Ajo tha se ka vizituar veriun dhe qytetarët atje shpresojnë që dialogu në Brukselit ë vazhdon dhe serbët të kenë një lloj zotësie në kuptimin e vet menaxhimit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë fjalimit Ziadeh ka dënuar sulmin ndaj Kanalit të Ibër-Lepencit më 29 nëntor të vitit të kaluar.
Po ashtu u përmend edhe ndalimi i 16 “pelegrinëve” serbë në fundjavë në Gjakovë e Prizren. Shumica e tyre janë liruar.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur “për persekutim të serbëve” në Kosovë. Ai tha se se “po vërehen pasojat e precedentit të vendosur në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.
Është ankuar “për shkelje” gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se i është marrë një ulëse Listës Serbe.
Ai tha se në dialogun Kosovë - Serbi duhen "energji të reja".
E ambasadori rus në OKB, Vasily Nebeznya, ka thënë se shpreson që Gjykata Speciale “t’i dënojë në mënyrë shembullore liderët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999”.
Përfaqësuesi britanik në OKB u bën thirrje shteteve që s'e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë
Përfaqësuesi britanik në Kombet e Bashkuara, Fergus Eckersley, u ka bërë thirrje shteteve që ende s'e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë sa më parë.
Ai gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se përshëndet vendimi ne Kenias për ta njohur Kosovën.
“Si përkrahës të shtetësisë së Kosovës mirëpresim njohjen nga Kenia. Inkurajojmë ata që s'e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë sa më parë”, ka thënë Eckersley.
Ai ka shtuar se Britania e Madhe është e përkushtuar ta përkrahë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës e zhvillimin e një shoqërie shumëetnike demokratike. Ka mirëpritur zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ndërkohë u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog e të zbatohen plotësisht Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.
Ai ka kërkuar të rishikohet mandati i UNMIK-ut bazuar në situatën në terren, duke thënë se situata është shumë ndryshe nga ajo e vitit 1999.
Përfaqësuesi i Francës në OKB, ka thënë se është e papranueshme që kryerësit e sulmit në Banjskë mbeten ende të lirë. Ai ka thënë se duhet të vihen para drejtësisë fajtorët. Ndërsa ka dënuar edhe sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntorin e vitit të kaluar.
Ndërkohë ai ka thënë se duhen zbatuar gjitha zotimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Ndërsa ka bërë thirrje për themelimin e asociacionit.
E përfaqësuesi i BE-së në OKB ka shprehur keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa që kryerësit e sulmit në Banjskë në shtatorin e vitit 2023 të sillen para drejtësisë.
Ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Përfaqësuesi i SHBA-së: Normalizimi Kosovë-Serbi është qenësor për gjithë Ballkanin
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, John Kelley, ka përsëritur se misionit të UNMIK-ut i ka kaluar qysh moti afati i tranzicionit dhe se duhet të përfundojë tashmë. Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që punojnë për normalizim të marrëdhënieve.
“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutje të tensioneve, të përmbahen nga retorikat eskaluese mes tyre dhe në rajonin e tyre. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë, normalizimi i marrëdhënieves mes Kosovës dhe Serbisë është qenësor për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar më tej se SHBA-ja kërkon që të zbusë shpenzimet e panevojshme, derisa ka përmendur se 89% e buxhetit të UNMIK-ut shkon për paga të punëtorëve.
Bajram Çerkini kujtohet në KS të OKB-së: Mishërim i humanizmit
Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh gjatë adresimit të saj ka kujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili vdiq më 24 shkurt.
Me këtë rast ajo ka ftuar palët që të shfrytëzojnë Komisionin e përbashkët për të pagjeturit të krijuar përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues për personat e pagjetur për të ecur më tutje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst dua të kujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni dhe kanë qenë mishërim i humanizmit”, ka thënë Ziadeh.
Gërvalla fton anëtarët e Këshillit të Sigurimit që ta vizitojnë Kosovën
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta vizitojnë Kosovën dhe ta shohin situatën në terren e të bisedojnë me serbët në katër komunat veriore.
“Ju tregojnë se si tash më në fund po ndihen të lirë nga presioni i bandave dhe krimit të kërcënuar. Nga kërcënimet e z. Gjuriq e të tjerëve. Asgjë s’mund të zë vendin e përshtypjes personale. Flisni haptazi. Unë ju them se do të ndryshonit menjëherë mendim”, tha Gërvalla-Schwarz.
Sa i përket marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës – Shqipërisë e Kroacisë, Gërvalla ka thënë se kjo marrëveshje është me dy shtete anëtare të NATO-s dhe është e hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet.
Për sulmin terrorist në Banjskë të kryer mër 24 shtator të vitit 2023, Gërvalla-Schwarz, tha se çdo gjë është e qartë dhe se ekzistojnë pamje të dronit dhe foto.
“Janë njerëz të caktuar nga Vuçiqi në Kosovë. Është ish-zëvendëskryetari i Listës Serbe, parti kjo politike që kontrollohet nga Beogradi e përdoret kundër serbëve në Kosovë. Janë emra të njohur. Është person që ulet në Beograd e pi kafe me ministrin që e keni të pranishëm këtu. S’ka ndryshuar asgjë. Kryerësit gjenden të lirë. Tre serbët e vrarë gjatë atij sulmi, ishin kryerës të veprës...Kishte armatim për më shumë se 400 persona. S’po flasim për armë të thjeshta”, tha Gërvalla.
Ajo ka thënë se sulmi në Kanalin e Ibër-Lepencit ka lënë bëri që 50 për qind e Kosovës të vuajë dhe kishte synim të linte Kosovën për ditë të tëra pa ujë, rrymë dhe ngrohje.
Ajo tha se Serbia ndonëse ka thënë se do të bashkëpunojë në hetim, nuk ka ofruar asnjë ndihmë për hetuesit ndërkombëtarë.
Sa i përket ndalimit të 16 “pelegrinëve” serbë, Gërvalla-Schwarz ka thënë se katër prej tyre ishin pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës së Serbisë dhe ishin maskuar si pelegrinë. Ajo ka thënë se është në duar të gjyqësisë tash rasti.
Gërvalla-Schwarz ndërkohë ka thënë se nuk duhet lejuar që në Kosovë të krijohet një Republika Sërpska e dytë.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë fjalimit tërheqi vërejtjen për marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës – Shqipërisë e Kroacisë, duke thënë se “cenojnë paqen” në rajon.