Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova jep kontribut serioz për paqe dhe siguri globale, 25 vjet pas çlirimit, duke shtuar se terrorizmi dhe radikalizmi “nuk kanë vend në shoqërinë dhe shtetin tonë”.
Gërvalla ka shkruar në Facebook të hënën se ka qenë prezente në konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS-it, në 10-vjetorin e themelimit të tij. Ministrja e Jashtme tha se është e lumtur për shkëmbimin e përvojave me kolegë nga rajoni e bota.
“Me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS, në 10-vjetorin e themelimit të tij. Republika e Kosovës tashmë, 25 vjet pas çlirimit të saj, jep kontributin e saj serioz për paqe dhe siguri globale. Terrorizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend në shoqërinë dhe shtetin tonë. Prandaj, jam e lumtur për mundësinë e krijuar për të shkëmbyer ide dhe përvoja të vlefshme me kolegë nga rajoni dhe e gjithë bota”, ka thënë Gërvalla.