Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, njëherit ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka folur mbi arritjet e kësaj partie si pjesë e udhëheqjes qeverisëse të vendit, duke thënë se në mandatin e dytë do të ketë një progres edhe më të madh, duke e shndërruar Kosovën si një shtet që duhet merret shembull.
Të tubimin e kësaj partie Gërvalla ka thënë se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të punohet për të sjellë progres substancial në fushat kyçe të jetës, me qëllim të ngritjes së standardit të jetës për qytetarët e Kosovës.
“Kush e ka imagjinuar në vitin 2021, atëherë kur të gjithë së bashku jemi nisur një rruge, të cilën nuk e kemi ditur se ku do të na çojë, por e kemi ditur se do të na çojë përpara dhe nuk ka mundësi të na çojë më mbrapa. Prandaj, të vendosur sikurse kemi qenë në vitin 2021, me një sërë idesh dhe arritjesh, të cilat edhe vitet 2025-2029 do ta begatojnë jetën politike e ekonomike dhe shoqërore të Kosovës, do të vazhdojmë punën tonë të bashkuar duke e mbajtur premtimin dhe duke kontribuuar çdo ditë për një Kosovë më të mirë, për një Kosovë ku qytetarët nuk largohen, por kthehen, për një Kosovë ku arsimi, shëndetësia dhe arsimi bëhen shembull jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në Evropë”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, bashkëpartiaku Faton Peci, njëherit ministër i Bujqësisë, ka thënë se ky subjekt është gati për të udhëhequr në mandatin e dytë qeverisës.
“Sot ndihem krenarë, ballëhapur, e faqebardhë të qëndroj para jush që besuat në Guxo qe nga dita e parë. Me këtë tubim madhështor jemi këtu për të dëshmuar e rikonfirmuar vullnetin e çeliktë që kemi për Kosovën, për të prezantuar rezultatet dhe kontributin tonë qeverisje, për të ofruar garancinë e bashkëpunimit parimor dhe të sinqertë, si dhe vizionin për mandatin e dytë të sigurt të qeverisjes për vendin. Ne jemi sot bashkë për të rikonfirmuar se nuk ka sfidë që na zmbrapsë”, ka deklaruar Peci.
Ai ka nënvizuar se ka qenë guxim të ndërtosh një organizim të ri politik./Ksp
Gërvalla: Ne e mposhtëm dhe e përzumë Radoiçiqin nga Kosova
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se terroristi Milan Radoiçiq është përzënë nga Kosova nga qeveria aktuale.
Në një tubim të “Guxo”, kryetarja e këtij subjekti politik ka thënë se Qeveria Kurti është kujdesur që Radoiçiq të izolohet në Serbi dhe të jetë nën kërkim ndërkombëtar. Ajo ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara, Radoiçiq dhe të tjerët si ati “pritnin për t’u bërë ortakë me qeveri dhe biznes”.
“Më lejoni të përmend disa fakte, me qeveritë e partive të tjera, Radoiçiq dhe të tjerët si ai, pritnin për t'u bërë ortakë në qeveri dhe biznes, priteshin në shtëpi dhe zyre si mysafirë, organizonin të papenguar rrjetin e sofistikuar të të gjitha llojeve të krimit të organizuar dhe rrihnin për pikë të qejfit qytetarët e pafajshëm, madje edhe zyrtarët policorë, por edhe zyrtarë të institucioneve tona. Të kalojmë në vitin 2024, si është sjell kjo qeveri me Radoiçiq dhe të tjerët si ai. E kemi mundur në Banjskë, e kemi përzënë nga Kosova, i kemi konfiskuar asetet e tij ekonomike, ja kemi konfiskuar vilën, veturat dhe gjitha të tjerat, e kemi izoluar në Serbi, jemi kujdesur që të hyjë në lista të zeza, dhe që ai të jetë në listën e Interpolit me ngjyrë të kuqe në kërkim”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka shtuar të dielën se Qeveria Kurti ua ka ndërprerë Radoiçiqit dhe të tjerëve rrugët e kontrabandës./Ksp