Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka deklaruar se Serbia s’ka plane paqësore meqë e ka rritur buxhetin për ushtrinë dhe e kaluar për shëndetësinë.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se në tavolinë ekziston edhe opsioni i luftës nga ana e Serbisë, por që sipas tij, nuk po diskutohet mjaftueshëm.
“Më 24 shtator sulmi ndodhi në Banjskë. Nëse shohim mënyrën e organizuar është si pushtimi i Krimesë nga Rusi...Duke qenë se Serbia i ka kopjuar gjithmonë metodat e Rusisë, mund ta kopjojë edhe këtë”, ka thënë Gërgi.
Ai i tregoi shifrat e investimeve serbe në ushtri.
“Në 2020-n ishte 780 milionë për mbrojtje, e sivjet janë 1.8 miliardë shpenzime ushtarake, në një periudhë post-pandemike. Në 2024-n, buxheti për shëndetësi në Serbi është ulur. Çfarë shteti është ai që trefishon buxhetin e ushtrisë dhe e ulë atë të shëndetësisë, s’ka plane paqësore”, ka shtuar Gërgi.
Sopi: Më mirë t'i kthehemi ridefinimit të kufijve se sa ta bëjmë një monstër, siç është Asociacioni
Panelisti Agim Sopi ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do ta shkatërronte shtetin e Kosovës. Ai ka thënë se Asociacioni do të ishte një lloj monstëri juridik. Ai ka thënë se më mirë do të ishte të hapet ideja e korrigjimit të kufijve, sesa themelimi i Asociacionit.
“Kanë shkuar deri atje sa duan ta krijojnë një entitet të ri që e rrënon përfundimisht shtetin e Kosovës. Ai entitet i tretë politik me ingirenca ekzekutive e subordinon shtetin e Kosovës. Ata kanë të drejtë ta bllokojnë shtetin e Kosovës në shumë aspekte. E shteti i Kosovës nuk ka të drejtë pothuajse në asnjë segment të ndërhyjë në atë netitet. Njëfarë monstrumi juridik të themi, që realisht e shkatërron Kosovës. Nëse, se di çfarë qeverie shqiptare, vjen deri te përfundimi se mund të aprovohet e realizohet në praktikë një monstrum i tillë, diçka e tillë, atëherë do të duhej të kemi guxim edhe të bisedojmë për korrigjim të kufijve. Shqiptarët janë të gatshën, kanë telashe më shumë se serbët, me përkufizimet etnike në Ballkan”, ka thënë Sopi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se nëse Donald Trump rikthehet në pushtet në SHBA, atëherë nuk “është larg mendsh që të kthehet një ide e tillë”.
“Po i kthehemi idesë së parë, që ishte menjëherë pas luftës së Kosovës, të ridefinohet Ballkani. Të shpërbëhet Bosnja, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Të krijohen shtetet etnike, shteti shqiptar e shteti serb me kufi etnik. Po bisedojmë për atë pse jo. Jemi përfitues të asaj pune. A mund të realizohet projekti i tillë pa gjakderdhje e destabilizim të madh në Ballkan? S’jam i sigurt...Nëse fiton z. Trump me siguri do ta rikthejë në tavolinë këtë ide. E kjo ide do ta sjellë Kosovën në pozitë shumë të pafavorshme”, tha Sopi.
Hyseni: Çfarë synon Serbia? Të bëhet Asociacioni dhe të dalë e ta kontestojë atë
Flamur Hyseni, profesor i së drejtës, ka deklaruar se Serbia do ta kontestonte edhe nëse Qeveria e Kosovës do të themelonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, qëllimi i Serbisë është të kontestojë çfarëdo asociacioni, duke u shprehur se ky do të ishte në formë të presionit.
“Problemi është te presioni që të bëhet një lloj asociacioni e Serbia të thotë ky nuk është në rregull. Çfarëdo asociacioni që propozojmë, madje ne s’kemi asnjë draftstatut të përfunduar, prapë Serbia do ta kontestojë. Ky është problemi. Edhe kjo Qeveri politikisht ka bërë veprim të mirë, në gjysmë të mandatit i është qasur më aktivisht, e politikisht duke u shprehur se e pranon në njëfarë forme”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, asnjëra qeveri deri më tani s’ke pranuar themelimin e Asociacionit.
Demaku: Marrëveshja e ka në qendër Asociacionin e jo njohjen de-facto - me të e kemi kurthyer veten
Panelistja e emisionit “Konfront” në KTV, Dafina Demaku, ka thënë se Marrëveshja Bazë e arritur në shkurt të vitit të shkuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në qendër e ka Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.
Sipas saj, këtë e ka dëshmuar kalimi i kohës dhe kërkesat e shtuara të ndërkombëtarëve për zbatim të kësaj pike.
“Ne në vazhdimësi e kemi shtjelluar në shumë debate se çka është marrëveshja të cilën e kemi në dorë. E kemi thënë se e ka Asociacionin në qendër, pra përtej deklarimeve duke përfshirë nga kryeministri e të tjerët se e ka njohjen de-facto brenda, neve koha, përveç neneve të saj dhe zhvillimeve po na tregojnë se marrëveshja e ka Asociacionin në qendër”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pas marrëveshjes janë shtuar kërkesat e ndërkombëtarëve për themelim të Asociacionit.
Demaku ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, Kosova e ka “kurthyer” veten në rrugën e integrimit. “Në çdo derë të integrimit që po provojmë të trokasim, po na vënë përpara këtë marrëveshje dhe po na thonë se duhet ta zbatojmë e pastaj mund të ecim përpara”.
Sopi: Marrëveshja është projektuar me hile, qysh në preambulë parasheh që të harrohet e kaluara
Analisti politik, Agim Sopi, ka deklaruar të enjten se marrëveshja Kosovë-Serbi është projektuar me hile qysh nga fillimi, duke u shprehur se në preambulë parashihet që të tejkalohet e kaluara.
Ai ka thënë në “Konfront” të KTV-së se në preambulë thuhet që palët të bisedojnë pa paragjykuar edhe çështje thelbësore.
“Duke qenë me hile e projektuar, në preambulë imponohet diçka që e eliminon prapavijën pse kemi ardhur këtu. Në kaptinën e 4 të preambulës thotë që palët të bisedojnë pa paragjykuar edhe çështje themelore si është çështja e statutit. Realiteti i ri, pavarësia, thyhet në pikën 0, eliminohet sepse nuk paragjykohet e statuti do të flitet në fund të marrëveshjes. S'ka të drejtë askush të bisedojë, është e drejtë e sovranit”, është shprehur Sopi.