Arbëri

Gërgi: Nëse SHBA-ja ia njeh Krimenë Rusisë, mund të lindë ideja për njohjen e Kosovës nga Rusia

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Besar Gërgi, ka deklaruar se njohja amerikane e sovranitetit rus të Krimesë mund t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga Rusia.

Gërgi ka thënë se në vitin 2014, kur Krimea iu bashkua Rusisë me forcë, presidenti rus Vladimir Putin e përdori shembullin e Kosovës.

“Kur Rusia e ka aneksuar Krimenë, nuk ka qenë aneksim klasik. Kjo ka ndodhur pasi Krimea ka organizuar referendum, normalisht nën armët e ushtarëve rusë dhe ka pasur dalje të madhe, ku kërkuan pavarësi. Pra, Krimea së pari kërkoi pavarësi, pastaj nënshkroi traktat për bashkim me Rusinë. Pjesa kryesore e fjalimit të Putinit për ta arsyetuar këtë pavarësi e më pas bashkim, ai e merr shembull vendimin e GJND-së për Kosovën. Në një mënyrë, edhe në rrafshin politik, e ka përdorur këtë argument. Ky është krahasim që nuk qëndron. Kur tash po diskutohet njohja amerikane e sovranitetit të Krimesë, do të mund të lindte për njohjen e Kosovës nga ana e Rusisë. Do ta lehtësonte shitjen e këtij akti para publikut amerikan dhe perëndimor”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Gërgi u shpreh se presidenti amerikan Donald Trump nuk po e kupton strategjinë e vërtetë të Rusisë në lidhje me negociatat për luftën në Ukrainë.

Sipas Gërgit, skenari ideal për Kremlinin është zvarritja e procesit të negociatave deri në pikën kur Trumpi lodhet dhe tërhiqet nga ndërmjetësimi, duke lënë fajin për dështimin mbi Ukrainën dhe presidentin Zelensky.

“Putini sapo ka nënshkruar një dekret për mobilizimin e 160 mijë trupave. Kjo bie ndesh me pretendimet për dëshirë për armëpushim”, theksoi Gërgi në “Interaktiv” të KTV-së, duke nënvizuar se kjo është një strategji e dyfishtë ruse për të fituar kohë dhe terren politik.

Një tjetër moment që tronditi aleatët perëndimorë ishte deklarata e Trumpit për njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë, ndërsa i dërguari i tij, Steven Witkoff, sipas Gërgit, “po përdor një gjuhë më afër Putinit sesa partnerëve evropianë.”

Sipas Gërgit, ndërsa amerikanët synojnë të arrijnë marrëveshje të shpejtë, evropianët janë më të kujdesshëm dhe këmbëngulin fillimisht në ndaljen e luftimeve, pastaj në diskutime për territoret.

“Kundërshtimi më i fortë për çdo lloj kompromisi territorial vjen vetëm nga Zelensky... dhe me të drejtë”, deklaroi ai.

Gërgi ka thënë se mosmarrëveshje e Washingtonit dhe Kevit për mineralet lidhet vetëm me vlerësimet për ndih për mineralet e Ukrainës, ku ka dallime të mëdha mes vlerësimeve të Uashingtonit dhe Kievit.

“Amerika kërkon një kosto kompensuese prej rreth 300 miliardë dollarësh, ndërsa Ukraina e sheh si shumë të lartë dhe insiston në një shifër më të arsyeshme, prej 90 deri 100 miliardë dollarësh,” shpjegoi ai.