Hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, ka thënë se është e pazakontë që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë nuk ka reaguar pas shpalljes së dënimit për liderin e Republikës Serbe, Millorad Dodik.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Gërgi ka thënë se nën Administratën Trump, SHBA-ja ka gjasa që nuk reagon edhe po që se Republika Serbe e shpall pavarësinë e saj.
“Është shumë e pazakontë (v.j. që nuk ka reaguar ambasada amerikane në Sarajevë) sepse kanë reaguar gati të gjitha ambasadat e Bashkimit Evropian që janë kryesore aty, ka reaguar edhe Turqia e ambasada japoneze, por nuk kemi reagim të SHBA-së. Kjo mund të arsyetohet sepse ambasadori i kaluar e ka përfunduar mandatin dhe është kthyer në SHBA, por ka pasur një rast të ngjashëm të tensioneve në veri të Kosovës, ku ambasada amerikane ndonëse nuk ka ambasador, ka reaguar... Në qoftë se në një mëngjes zgjohemi nga gjumi dhe Republika Serbe e shpall pavarësinë e saj, në dallim prej viteve të 90-ta nuk shkon në ofensivë, por në defensivë dhe thotë ky është territori ynë, duam ta mbrojmë territorin tonë, mund të ketë gjasa që nuk do të ketë reagime nga SHBA-ja nën Administratën Trump”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se ka pikëpyetje nëse do të zbatohet ky vendim.
“Sonte gjatë sesionit të Kuvendit kombëtar të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë është miratuar një deklaratë ku thuhet se ata nuk e njohin autoritetin e Christian Schmidtit si zyrtari më i lartë ndërkombëtar në vend, nuk e njohin autoritetin e gjykatave, prokurorisë dhe policisë boshnjake. Shenjat e para janë se nuk do të zbatohet një vendim i tillë, de facto kanë shkuar drejt një rruge të shkëputjes, sa janë të gatshëm ata të shkojnë në këtë rrugë dhe sa është e gatshme Sarajeva që të shkojë deri në fund”, ka thënë ai.
Gërgi ka shtuar se qëllimi i Dodikut nuk është ta shpëtojë veten, por ta shpallë pavarësinë e Republikës Serbe.
“Dodiku ose e arrin qëllimin e tij të pavarësisë ose do ta çojë këtë punë deri në fund. Nuk besoj se e ka qëllimin për ta shpëtuar veten por e ka qëllimin për pavarësi”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjendja në Bosnjë-Hercegovinë do të përbëjë testin e parë për Administratën Trump.
“Në qoftë se nuk ka kohë të merret qoftë me Evropën apo Ukrainën, ne besojmë se as me Bosnjën nuk do të merret shumë, por në qoftë se nuk reagon në Bosnjë dhe ndodh një lloj përshkallëzimi apo hapje drejt pavarësisë, atëherë do t’i jepte një shtysë Beogradit zyrtar që ta ndjekë agjendën e tij edhe në Kosovë”, ka theksuar Gërgi.