Ish-ushtaraku Hysen Gecaj e ka quajtur skandal publik mosfurnizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me ushqim, duke thënë se si akt moral do të duhej që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të jepte dorëheqje.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se ky rast është lëshim i madh i autoriteteve, duke shtuar se edhe të kaluarën ka pasur raste të tilla “por jo të këtij niveli”. Ai ka shtuar se në këtë rast ka hapësirë edhe për hetim të institucioneve të drejtësisë.
“Ky rast i ka kaluar përmasat e gabimeve që janë bërë. Nuk janë gabime, por neglizhencë e dikujt që s’e ka kryer punën dhe së bashku në bazë të asaj që është deklaruar, ka edhe favorizime të kompanisë që duhet t’i jepet e drejta për të ushqyer FSK-në”, ka deklaruar Gecaj.
Gecaj ka shtuar se beson që FSK-ja do ta tejkalojë këtë situatë por që “ky skandal me një tender që është i rëndësishëm e prek sigurinë e vendit tonë”.
“Deklarata e komandantit të FSK-së për ndërprerje të aktiviteteve nuk besoj që e ka menduar për ndërprerje të çdo aktiviteti, por të kalojë në një formë tjetër të organizimit. Është presioni ndaj atyre që kanë përgjegjësi dhe reagimi i komandantit është edhe tregues që ai detyrohet të ndërmarrë masa për ndryshim të aktivitetit”, ka thënë Gecaj.
Ish-koloneli i FSK-së ka potencuar se përgjegjësia e këtij rasti bie mbi Qeverinë, duke theksuar se në dy vitet e fundit ka pasur largim të madh të pjesëtarëve të FSK-së nga ky institucion.
“Derisa kemi pjesën politike që është përgjegjëse për këto çështje e mbikëqyrëse, edhe përgjegjësia bie në nivelin ku vendoset për burime financiare të FSK-së. Ka vend për hetim e dorëheqje, dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes mund të jetë morale...Në dy vitet e fundit është numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që janë larguar”, është shprehur tutje ai.