Arbëri

Gazetarja Dalloshi paraqet ankesë kundër vendimit mbi rastin ndaj mbrojtjes së afërt të Kurtit

Gazetarja Dalloshi

Gazetarja Blerta Dalloshi – Berisha ka paraqitur ankesën kundër vendimit të prokurorit, Kastriot Berisha, i cili e ka hedhur poshtë kallëzimin penal për sulmin ndaj saj nga mbrojtja e afërt e kryeministrit, Albin Kurti.

Ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e zhgënjyer ishte shprehur edhe juristja e medias, Flutura Kusari. Ajo ka thënë se aktvendimi është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Evropës, si dhe anues kah i dyshuari dhe jo nga mbrojtja e viktimës dhe drejtësisë.

“Prokurori nuk e përmend faktin që sulmi ka edhe bazë gjinore (shih vepren penale të lëndimit të lehtë), nuk merr parasysh fare situatën e lirisë së medias në rënie rapide në Kosovë, rrezikun që po ju kanoset gazetarëve çdo ditë, efekti frenues që ai sulm ka tek gazetarët tjerët dhe rreziku i krijimit të precedentëve ku politikanët mund të përdorin truprojet e tyre për t'i sulmu fizikisht gazetarët. Përgjithësisht aktvendimi është shkruar në një frymë anti-media”, ka shkruar Kusari një ditë më parë.

Rasti pati ndodhur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe pamje nga incidenti ishin publikuar atë kohë. Në to shihej pengimi i gazetares nga mbrojtja e afërt e Kurtit, Bardhyl Rrustemi.

Dalloshi – Berisha ishte shtyrë nga dora pasi po përpiqej ta bënte një pyetje për kryeministrin.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e pati quajtur të papranueshëm një veprim të tillë dhe pati deklaruar se kjo sjellje ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin mediat në Kosovë.

AGK-ja pati kërkuar hetim të Rrustemit dhe nga kryeministri Kurti që ta dënonte si akt.