Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (VIII)
“Nuk mendoj se ka shumë njerëz që mund të mburren se çliruan një qytet”, thotë reporterja e luftës, Ana Exposito Valle. “Por ne mund të mburremi”.
Dy ditë pas hyrjes së trupave të para të NATO-s në Kosovë në mëngjesin e 12 qershorit 1999, ekipi i Valles nga Television de Galicia, “bashkë me kameramanin Laureano, Nexhadin, përkthyes, dhe Hasanin, shofer, vendosëm të shkonim në Vushtrri, megjithëse ende nuk ishin tërhequr trupat serbe”.
Ajo kishte ndarë mendjen që me çdo çmim ta gjente Agonin dhe Ardinin, atëherë njomakë, pasi prindërit e tyre, Xhavit e Fatmire Cecelia, i kishte intervistuar në njërin prej kampeve të refugjatëve në Maqedoni të Veriut. Çifti ishte në ethe pasi fëmijët i ishin ndarë gjatë rrugës dhe policia e kishte kthyer makinën e fqinjit për Kosovë, derisa ata në traktor do të dëboheshin matanë kufirit.
“Një heshtje mbytëse kishte pushtuar qytetin që dukej i boshatisur, i shkretë”, përshkruan Valle, derisa në mesdhjetor futet në rrugën që zgjatet nga magjistralja Prishtinë-Mitrovicë drejt zemrës së qytezës antike. Është një ditë e ftohtë. Megjithatë ka gjallëri rrugëve të ngushta të qytezës së rrafshët.
“Por ajo pamje e shkretë nuk do të zgjaste shumë. Me të na parë banorët e lagjeve se kishim hyrë në qytet, turma njerëzish nisën të dilnin në rrugë. Heshtja u kthye në një festë të madhe dhe boshllëku u mbush me qindra njerëz që po festonin çmendurisht derisa po gëzonin lirinë”, kujton ajo.
“Thjesht, doja të qaja”
Dhe për ta dëshmuar këtë tregon pamjet arkivore që i ka sjellë me vete për t’ua treguar Ceceliajve. Në xhirime krijohet përshtypja se nuk kishte mbetur njeri brenda katër mureve. Edhe Hasani për një moment ndal makinën e mbushur me lule të hedhura nga vushtrriasit.
“Pas javësh së mbyllur dhe të tmerruar, duke u fshehur në vende të errëta, nuk bënte fare punë fakti se u thoshim se nuk jemi ushtarë të NATO-s, por gazetarë. Ata thjesht nuk donin t’ia dinin”, thotë Valle, para se ta takonim Ardinin në parkingun e një qendre tregtare, jo fort lagjes së tij.
Agoni dhe Ardini kishin qëndruar me gjysh Xhemajlin, të ndjerin që ishte profesor i kulturës fizike në Akademinë Policore në Vushtrri. Dhe rrugës për në shtëpi disa prej mureve të pakta që nuk kanë ndryshuar qe 23 vjet, ia kujtojnë Nexhad Bexhetit, përkthyesit të Valles - që e ka shoqëruar përsëri pa ta xhiruar dokumentarin “Mirupafshim në Kosovë!” të KTV-së dhe Television de Galicia, mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) – vendin ku për një moment do t’u dorëzohej emocioneve: Do të shkrehej në vaj. Një gëzim të tillë nuk e kishte parë as në filma e vepra të mëdha letërsie.
“Emocionet i kisha krejtësisht të bllokuara dhe në atë çast nuk po mendoja për asnjë gjë, thjesht doja të qaja”, thekson Bexheti, pasi zbret dhe shëtit disa minuta me Vallen përgjatë të njëjtës rrugë. Disa shkollarë në afërsi presin autobusin.
Vendosmëria e gazetares “acaruese”
Nga e majta, djali i madh Agoni, gazetarja Valle, Xhaviti e Fatmirja dhe djali i tyre i vogël, Ardini, në shtëpinë e Ceceliajve, në dhjetor, shikojnë xhirimet e 1999-s, derisa çifti në Maqedoni të Veriut nuk kishte asnjë informacion për djemtë me gjysh Xhemajlin në Vushtrri
“Kurrë nuk do të përjetoj diçka të ngjashme përsëri. Kurrë më nuk mund të jetë aq mahnitëse”, thotë Valle, duke shtuar se po mundohej të gjente Agonin dhe Ardinin prej fotografive të shumta që Xhaviti e Fatmirja ia kishin treguar në Stankovac.
“Historia e tyre nuk më shkoqej nga mendja”, thotë Valle, e cila nuk kalonin dy ditë pa u afruar te tenda e Ceceliajve për të pyetur nëse kishin marrë vesh për djemtë në Kosovë. “Atëherë nuk e dija se po e acaroja Fatmiren, sepse paqëllimshëm po ia ngjallja përsëri e përsëri frikën e madhe”.
“Po më acaronte, sepse nuk më largohej e unë po mundohesha të tregohesha e fortë”, i thotë Fatmire Cecelia në dhomën e ndejës gazetares spanjolle, derisa shohin xhirimet. Të shpeshta janë çastet kur s’i mban lotët. Edhe Xhaviti fjalëpakë shtrëngohet kur sheh çaste të pritjes së çiftit në ethe për ndonjë lajm për fëmijët. Në xhirime dokumentohet edhe momenti kur një grua – që nuk shihet - porse i dëgjohet zëri kur tregon se “Qemajli po thotë se thmija janë me gjyshin”.
“Këtë raport e kam përgatitur për Ditën e Nënës në Spanjë më 1999 dhe Dita e Nënës në Spanjë është e diela e parë e majit”, thotë Valle. Agoni përkthen.
Fatmirja, tani e hapur me Vallen, e telefonon Jehona Aliun në Zvicër, një ferizajase e vogël në luftë, e që ishte ndarë nga familja. Ishte lidhur me Fatmiren aq shumë saqë, sikurse shihet në xhirime, refuzonte të shkonte me dajën që do ta gjente në kamp. “Je bërë shumë e bukur”, i thotë Valle Jehonës në videolidhje. “Jam rregullu pak se isha tu shku mysafir”, qeshet Aliu, me vajzën në krah. “Këqyre mamin e vogël në kamp”, i thotë të bijës, derisa Valle ia tregon xhirimet në laptop.
Sfida e bashkimit të familjes
Pas bisedës me Jehonën, Ceceliajt u kthehen xhirimeve të prindërve. Pranë Valles para laptopit Agoni, tani i martuar me Medinën nga Lugina e Preshevës, me dorën e djathtë fshin lotët kur sheh mërzinë e babait dhe nënës në kamp.
“Të kujtohet koha e kaluar me gjyshin këtu?” – e pyet Valle Agonin, që ia kthen me anglishte të rrjedhshme: “Të them të drejtën më kujtohet shumë pak. Më shumë kujtoj atë që më është treguar”. Ai e Ardini, ulur pranë nënës në kauçin tjetër tregojnë dëshmitë e gjysh Xhemajlit, që u kishte treguar se si mbijetuan vrasjen masive të më shumë se shtatëdhjetë personave afër varrezave të Vushtrrisë.
“Mua më shumë më kujtohet nga rrëfimet e gjyshit, i cili na tregonte çdoherë”, thotë Ardini në anglisht.
Pas luftës, Agoni dhe Ardini do të bëheshin bashkë me prindërit në Norvegji pasi nuk donin t’ia kthenin shpinën gjyshit. Familja i tregon Valles shkrime gazetash norvegjeze që po përcillnin përpjekjen për bashkimin e familjes Cecelia pas çlirimit të Kosovës. “Më në fund”, është kryeartikulli i njërës prej tyre.
Dasma me mallin për gjyshin hero
Valle e dëgjon Nexhad Bexhetin, përkthyes i ekipit të Television de Galicia, derisa kujton se si në të njëjtën rrugë, festa e vushtrriasve të porsaçliruar e kishte shtangur dhe veten do ta merrte vetëm pasi do të shkrehej në vaj gëzimi
Pas përshëndetjes me të tjerët, Valle shoqërohet nga Agoni, i cili i dëshmon se si gjysh Xhemajli kishte kaluar oborret e disa shtëpive të lagjes derisa serbët po mblidhnin qytetarët e pafajshëm të Vushtrrisë. Agoni thotë se asnjë pas luftës nuk kishte rrahur rrugicën nëpër të cilën kishin kaluar që të fshiheshin ndërmjet dy shtëpive për t’i shpëtuar masakrës masive të fillimmajit të 1999-s.
“Të gjithë jemi gjallë dhe ka shumë familje që nuk e patën fatin tonë”, thekson Agoni me një qeshje të lehtë që më shumë duket si përpjekje për të fshehur dhimbjen për viktimat e luftës dhe për gjyshin që ka ndërruar vjet jetë. E nyjshme ishte lidhja e nipave me të. Ishte heroi i tyre i luftës.
“Ishte një rrëfim shumë i veçantë, porse gjithçka shkoi mirë, meqë përfundoi mirë”, thotë Valle në rruginën me mure të ulëta poshtë nivelit të kokës. “Po, ishte një fund i lumtur për ne”, ia kthen Agoni. Valle e kishte takuar gjysh Xhemajlin më 2001, kur do t’ia sillte librin në galicisht “Mirupafshim në Kosovë!”. Agoni e Ardini ishin në Norvegji. Njëzetë vjet më vonë, ua dhuroi nipave të tij botimin shqip të përkthyer e botuar nga Botimet KOHA.
“Njëzet vjet më vonë, jam e befasuar që fëmijët në fotografi, që kurrë nuk i kisha takuar, tani njëri është i martuar dhe tjetri do të martohet pas disa ditësh”, thotë Valle pas vizitës te Ceceliajt. Më 25 dhjetor, Ardini postoi 17 fotografi nga dasma e madhe. Me mërzinë që gjyshi nuk e pati në krah, por duke e kujtuar si heroin e tij të jetës.