Tek e thekson praninë e dhunës ndaj gazetareve, juristja e medias, Flutura Kusari, thotë se shteti duhet të ndryshojë legjislacionin penal, duke i ashpërsuar dënimet për sulmuesit dhe të promovojë aktivisht një kulturë të transparencës e të respektimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. E kolegu i saj në Mal të Zi, avokati Sinisha Gazivoda, e shpreh nevojën për një analizë që mund të nxjerrë përfundime nëse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate, por edhe nëse institucionet i zbatojnë në mënyrë adekuate normat ligjore
Në raportimet nga situatat që mbartin më shumë rrezik, si ato gjatë viteve të përballjes me pandeminë dhe me tensionet që ndodhën vitin e shkuar në veri të Kosovës, gazetaret dëshmuan se janë më të guximshme sesa kolegët e tyre burra, e për rrjedhojë edhe kanë qenë më të rrezikuara nga dhuna e sulmet, vlerësoi juristja e medias, Flutura Kusari.
Tek foli mbi dhunën me të cilën ballafaqohen gazetaret, ajo tha se pozita e pabarabartë e grave në shoqëri është e reflektuar edhe në media. E kjo, sipas Kusarit, ndikoi që qasja patriarkale, trajtimi seksist e diskriminues ndaj gazetareve të shndërrohet në “normalitet të pranuar”.
“Dhe vjen si nga jashtë (politikanët, biznesmenët dhe figurat e tjera për të cilët raportojnë gratë) ashtu edhe përbrenda redaksive dhe shtëpive mediale”, thotë ajo.
Derisa Kusari e thekson praninë e dhunës ndaj gazetareve, qytetarët shprehën mendim ndryshe. Në pyetësorin e publikuar në KOHA gjatë muajit maj, nga 179 lexuesit që iu përgjigjën, 80.1 për qind thanë se ndaj gazetareve nuk ushtrohet dhunë, kundruall 17.6 për qind të atyre që u shprehën se ato përballen me dhunë e si shembull përmendën kryesisht ngjarjet në veri. 31.4 për qind e lexuesve thanë se gazetaret më së shumti i nënshtrohen dhunës verbale, 25.6 për qind asaj psikologjike dhe 23.3 për qind dhunës fizike.
Situatë ndryshe është shpërfaqur në Mal të Zi. Në pyetësorin e portalit të së përditshmes “Vjesti”, 58 nga 92 lexuesit thanë se konsiderojnë që në Mal të Zi është e pranishme dhuna ndaj gazetareve. E si formën më të shpeshtë të dhunës ata e numëruan atë verbale dhe psikologjike, pasuar nga dhuna fizike e seksuale. Dëshmitarë të dhunës ndaj gazetareve në njëfarë mënyrë janë bërë 28 lexues të “Vijestit”, të cilët u shprehën se si redaksitë ashtu edhe shteti nuk bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e gazetareve.
Nevojën për më shumë punë nga institucionet në funksion të adresimit të dhunës ndaj gazetareve dhe mbrojtjes së tyre e shprehën ekspertët e fushës, si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi.
“Pushteti duhet t’i respektojë gazetarët në përgjithësi dhe gratë në veçanti dhe duhet të mos ndërmarrë asnjë veprim që mund të përkthehet në sulm ndaj tyre. Duhet të ndryshojë legjislacionin penal, duke ashpërsuar (dënimet për) sulmet ndaj gazetarëve, sidomos gazetarëve gra dhe duhet të promovojë aktivisht një kulturë të transparencës dhe të respektimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias”, thotë juristja e medias Kusari.
Ajo si një adresë me rol të rëndësishëm “në dokumentin e kërcënimeve që iu kanosën gazetareve, sidomos kur dhuna verbale ose fizike është me bazë gjinore” e përmend Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, avokati Sinisha Gazivoda, thotë se nevojitet të kihet një qasje ndërdisiplinore.
“Dokumentimi dhe analiza e ndërhyrjeve, me pjesëmarrjen e ekspertëve për barazinë gjinore, të shoqatat mediale dhe institucioneve, mund të tregojnë me saktësi format e ndërhyrjes. Pastaj, me një analizë mund të nxirren përfundime nëse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate, por edhe nëse korniza institucionale i zbaton në mënyrë adekuate normat ligjore. Me një qasje të këtillë do të mbërrihej deri te përfundimi nëse për të arritur rezultate nevojitet të ndryshohen rregulloret apo të avancohet gatishmëria e institucioneve për të zgjidhur probleme të tilla, apo që të dyja bashkë”, vlerësoi Gazivoda.
Ai thotë se në hulumtime të nivelit global vërehet se janë përherë e më të shpeshta sulmet ndaj gazetareve dhe se numri i tyre po rritet në proporcion me sulmet ndaj gazetarëve.
“Mjerisht, këta trendë janë të lidhur edhe me demokracitë e zhvilluara, e jo veç me shtetet në të cilat kapacitetet demokratike nuk janë në nivel të kënaqshëm”, theksoi avokati malazias.
Vetëm gjatë pjesës së parë të këtij viti, të dhënat e AGK-së treguan se kanë ndodhur 20 sulme ndaj gazetarëve, pesë ndaj grave po aq sa edhe atyre burra. Në 10 rastet e tjera, sulmet ishin ndaj mediave si entitete e ndaj një grupi gazetarësh.
Tek i numëron rastet e 2023-s, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tregon se patën natyra të ndryshme.
“Gjatë vitit 2023, në AGK kemi regjistruar 74 rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë, kurse në pjesën e parë të këtij viti 20. Sulmet janë të natyrave të ndryshme, por më të rëndat në vitin 2023 kanë qenë ato fizike në veriun e Kosovës. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punëtorët e tjerë medial kanë qenë cak i sulmeve fizike, i demolimit të mjeteve të punës, si kamera dhe vetura, në katër komunat veriore, në maj dhe qershor 2023”, theksoi ai.
Të dhënat e Sindikatës së Mediave në Mal të Zi treguan se gjatë tre vjetëve të fundit u regjistruan 53 sulme ndaj punëtorëve medialë. Shumica, nga to – gjithsej 31 – ishin ndaj gazetareve. Një analizë e kësaj organizate të punës tregoi se 12 nga sulmet ishin të natyrës verbale e fizike, 11 kërcënime e një ishte rast i shprehjes së gjuhës së urrejtjes.
Radomir Kraçkoviq, kryetar i Sindikatës së Mediave në Podgoricë, thekson se fakti që dy gazetare në Mal të Zi prej vjetësh janë nën përcjellje të vazhdueshme të Policisë demonstron se sa e rrezikshme është puna e gazetarisë.
“Këto gazetare janë të njohura për punën e tyre hulumtuese dhe për shkrimet mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe të tjera gazetare gjatë viteve të shkuara kanë qenë, kohë pas kohe, në cak të sulmeve, kërcënimeve apo targetimeve, gjë kjo që e ndërlikon edhe më shumë të gjithë situatën. Nuk është lehtë të jetohet e as të kryhet puna gazetareske nën kërcënime, e ato natyrisht se mund të ndikojnë në autocensurë e edhe në cilësinë e punës”, thotë Kraçkoviq.
Ai sugjeron që gazetaret që janë cak duhet që rastet t’i raportojnë së pari te organet kompetente dhe te redaksitë në të cilat punojnë.
“... Ashtu që të marrin mbështetjen e medias dhe të të gjithë komunitetit më të gjerë si dhe dënimin e sulmit nga zyrtarët më të lartë (që jo gjithmonë ndodh shkaku i dallimeve ideologjike dhe politike përbrenda skenës politike dhe opinionit publik) dhe të mbesin konsistente në raportimin e tyre të mëtutjeshëm. Natyrisht, krejt kjo nuk është aspak e lehtë kur ndodhin sulme e kërcënime, por kjo është e vetmja mënyrë që të mbrohet integriteti gazetaresk dhe personal”, shprehet Kraçkoviq.

Sipas tij, nga organet kompetente duhet kërkuar që të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetareve të trajtohen me kujdes të madh.
“Në Polici dhe në Prokurori së fundi treguan vullnet që të zgjidhen sa më shumë raste të dhunës dhe kjo duhet të përshëndetet, por edhe të insistohet që të punohet më shumë në ato që ende nuk janë ndriçuar. Njashtu, nga prokuroria dhe gjykatat pres që me vëmendje të veçantë t’i trajtojnë të gjitha sulmet dhe ta përdorin të Drejtën Penale të ndryshuar, sipas të cilës dënimet për sulme ndaj gazetarëve dhe gazetareve janë rritur”, thotë ai tek shton se “rastet e para që u trajtuan bazuar në këto ndryshime nuk sollën dënime më të larta për sulmuesit dhe kjo duhet të ndryshojë, po qe se duam që gazetarët dhe gazetaret të jenë më mirë të mbrojtura”.
Për mbrojtjen e gazetarëve dhe për forcimin e rolit të grave gazetare në media, kryetari i AGK-së thotë se kjo organizatë zhvillon “një sërë aktivitetesh” me partnerë ndërkombëtarë. Tek tregon se janë ndërmarrë trajtime me breza të rinj gazetarësh për raportim të ndjeshëm gjinor, ai e paralajmëroi edhe krijimin e një grupi joformal të grave gazetare që do të punojë në këtë drejtim.
“AGK-ja i fton gazetarët në përgjithësi, e në veçanti ato gra, që të raportojnë rastet e sulmeve, ngacmimeve, trajtimit jo të barabartë brenda redaksive në AGK, në mënyrë që rastet t’i çojmë edhe në Inspektoratin e Punës”, bën thirrje Rexha.
Ai thotë se AGK-ja siguroi donacion pajisje mbrojtëse për shumë medie që dërgojnë ekipe gazetarësh në zona të rrezikshme.
“Kjo në mënyrë që gazetarët, e shumica e tyre në veri janë gra, ta kenë më të sigurt raportimin nga atje”, shton ai.
Tek bën të ditur se gratë e përbëjnë pjesën më të madhe të punonjësve medialë në Kosovë, Rexha thotë se numri i atyre që mbajnë pozita udhëheqëse është i ulët.
“Ato (gratë) e bëjnë punën më të madhe dhe të rëndësishme në terren dhe janë më të shquarat në gazetarinë hulumtuese. Fatkeqësisht, numri i grave që udhëheqin mediat, qoftë nga pozita e pronares, drejtoreshës apo kryeredaktores, vazhdon të mbetet shumë i ultë dhe pothuajse simbolik”, thotë ai.
Sipas të dhënave të AGK-së, nga 9 debate televizive në kohën kryesore (prime time) në televizionet kombëtare, vetëm 2 udhëhiqen nga gratë.
Përgjegjësinë për praninë e ulët të grave në drejtimin e emisioneve dhe të debateve televizive, Rexha dhe Kusari e bartin te mediumet.
“Shumë pak gra janë të gatshme që të heqin dorë nga profesionalizmi dhe t’i bashkohen spektakleve televizive politike që bëhen për të kënaqur masat. Përgjegjësia për të siguruar më shumë gra prezente iu takon mediave. Drejtuesit e mediave duhet të sigurohen që të krijojnë ambiente të sigurta për gra në mënyrë që ato të ndajnë me publikun dhe shoqërinë perspektiven e tyre”, thotë juristja e medias Kusari.
E Rexha e quan toksik ambientin në të cilin edhe ato pak gazetare marrin pjesë në debate.
“I dekurajon gratë që të marrin pjesë në diskutim publik. Është përgjegjësi e drejtuesve të emisioneve dhe redaktorëve të tyre, që të krijojnë një ambient të barabartë për gratë që të marrin pjesë në këto diskutime”, shprehet ai.