Të dhënat nga pyetësori që KOHA e publikoi në maj dhe të cilit iu përgjigjën 176 qytetarë, treguan se 80.1 për qind kanë shprehur mendimin se ndaj gazetareve nuk ushtrohet dhunë. 17.6 për qind kanë thënë se ndaj tyre ka dhunë dhe se më e shpeshta, sipas 31.4 për qind të qytetarëve, është ajo verbale. 25.6 për qind kanë thënë se gazetaret i ekspozohen dhunës psikike e 23.3 për qind asaj fizike
Gazetaret në Kosovë më së shpeshti i ekspozohen dhunës verbale gjatë kryerjes së punës së tyre, është konstatim i dalë nga pyetësori të cilin KOHA e ka publikuar në maj.
Bazuar në të dhënat nga ky pyetësor, të cilit i janë përgjigjur 176 qytetarë, 80.1 për qind e tyre kanë shprehur mendimin se ndaj gazetareve nuk ushtrohet dhunë, përderisa 17.6 për qind kanë thënë se ndaj tyre ka dhunë.
Në pyetjen se ndaj cilit lloj të dhunës janë të ekspozuara gazetaret, 31.4 për qind kanë thënë se ato i nënshtrohen dhunës verbale, 25.6 për qind asaj psikike e 23.3 për qind dhunës fizike.
61.9 për qind e respondentëve kanë thënë se gazetaret janë mjaftueshëm të mbrojtura nga shtëpitë mediale në të cilat punojnë, teksa 76.1 për qind se atyre u ofron mbrojtje të mjaftueshme shteti.
Si rastet më të shpeshta të dhunës ndaj gazetareve, qytetarët kanë përmendur ngjarjet e vitit të shkuar në veri të Kosovës, kur qytetarët serbë kanë kundërshtuar me protesta e me dhunë vendosjen e kryetarëve të rinj nëpër objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.
“Kam parë gazetaret në veri të Kosovës përderisa sulmoheshin nga kriminelët e terroristët serbë… Në Mitrovicë, ku u lënduan edhe ushtarët e KFOR-it… Rasti i fundit ka qenë në veri të Kosovës, kur gazetaret u sulmuan fizikisht nga minoriteti serb”, janë vetëm disa nga përgjigjet e qytetarëve.

Dhuna ndaj gazetarëve, pa gjini
Dy nga gazetaret që kanë raportuar gjatë zhvillimeve të majit të shkuar në veri janë Saranda Ramaj e KOHËS dhe Dorentina Thaqi e “RTV Dukagjini”.
Thaqi, e cila pati përjetuar sulm gjatë mbulimit të protestave të 2023-s në veri, e përshkruan ngjarjen e qershorit të shkuar në Leposaviq si më të vështirën gjatë karrierës së saj.
“Kemi shkuar në Leposaviq, më 16 qershor të vitit të kaluar, pas informacionit se aty ka shkuar në vizitë ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe se protestuesit nuk janë lejuar të hynë brenda oborrit të komunës. Fillimisht situata ka qenë e qetë, derisa KFOR-i mundohej që në mënyrë paqësore me protestuesit të arrihet një marrëveshje për të mos pasur ndonjë incident. Kur protestuesit thanë se nuk do të shkaktojnë ndonjë telashe, dhe pas disa orë qëndrimi aty, në momentin kur ministri Krasniqi, i shoqëruar nga zyrtarë policorë, hynë në makinë dhe largohet nga aty, disa persona të maskuar kanë filluar të gjuajnë në drejtim të mediave. Gjatë tentimit për të ikur, njërin nga kolegët e RTK-së, edhe e rrëzojnë dhe e godasin derisa ia dëmtojnë edhe pajisjet për xhirim. Gjatë asaj kohe, sa kam qenë duke ikur, jam goditur nga një person i maskuar në kokë dhe telefoni im që kam qenë duke gjiruar është marrë nga ta”, e përshkruan Thaqi ngjarjen.
E Ramaj e KOHËS thotë se pavarësisht ngjarjeve në veri, kryerja me profesionalizëm dhe me integritet e punës së gazetares kërkon sakrificë e sfida, teksa shton se në Kosovë është dëshmuar që gazetaria nuk ka gjini. Ramaj thekson se ndaj gazetarëve në përgjithësi ushtrohet dhunë në forma të ndryshme.
“Jam e bindur që ka çdo ditë dhunë ndaj gazetarëve. Dhuna verbale, komentet linçuese, sidomos për gratë. Fushatat online janë faza që në një mënyrë ose tjetrën ndikojnë jo veç në pavarësinë e ushtrimit të këtij profesioni, por edhe i stimulojnë të tjerët që të sulmojnë gazetarët fizikisht. Është bërë e zakonshme që të fyhen gazetarët, e kur atyre u ndodh sulm fizik, një pjesë e madhe e qytetarëve besojnë që ata e kanë merituar”, shprehet gazetarja e KOHËS.
Sipas Ramajt, kërcënimet dhe gjuha linçuese ndaj gazetarëve prej grupeve të biznesit e vështirësojnë edhe më shumë ushtrimin e profesionit të gazetarisë. E shpreh vërejtjen se institucionet e hetuesisë dhe të drejtësisë nuk janë mjaftueshëm efikase për të kryer hetimet brenda një periudhe kohore të arsyeshme.
“Nisën të më padisin për shpifje edhe pse isha e sigurt për raportimin e bërë në KOHA. Ka edhe raste kur më kanë kërcënuar ose linçuar. Një nga rastet që më ka prekur më së shumti është kur zyrtarë publikë, në orët e vona kanë shkuar asokohe në familjen e prindërve të mi, që nga Prishtina ka distancë rreth 100 kilometra, dhe i kanë kërcënuar për mua. Në ketë situatë e kam kuptuar që ndonjëherë puna jonë profesionale ka pasoja për njerëz tonë të dashur”, është shprehur ajo.
Në pyetjen e shtruar në pyetësor se a i mbrojnë mediat sa duhet gazetaret, 61.9 për qind e qytetarëve janë përgjigjur me pohim. E 76.1 për qind kanë thënë se gazetaret mbrohen mjaftueshëm edhe nga shteti.
Përderisa thotë se e merr mbështetjen e nevojshme nga media në të cilën është e angazhuar, gazetarja Thaqi thekson se në rastet, sikurse ngjarjet në veri, shteti është dashur që të ndante më shumë informacione me mediat për t’i udhëzuar gazetarët mbi rrezikun me të cilin mund të përballen.

Gratë përbëjnë shumicën e punonjësve medialë, më të pakta në pozita udhëheqëse
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, tregon se gjatë këtij viti proporcioni i numrit të sulmeve ndaj gazetarëve ka qenë i barabartë midis grave dhe burrave.
Ai ka thënë se në pjesën e parë të vitit kanë ndodhur 20 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, prej të cilave pesë ishin ndaj grave gazetare, po aq sa edhe ndaj atyre burra. Në 10 rastet e tjera, sulmet, sipas tij, ishin drejtuar ndaj mediave si entitete e ndaj një grupi gazetarësh.
E tek i numëron rastet e vitit 2023, Rexha thekson se ato kanë qenë të natyrave të ndryshme.
“Gjatë vitit 2023, në AGK kemi regjistruar 74 rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë, kurse në pjesën e parë të këtij viti 20. Sulmet janë të natyrave të ndryshme, por më të rëndat në vitin 2023 kanë qenë ato fizike në veriun e Kosovës. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punëtorët e tjerë medial kanë qenë cak i sulmeve fizike, i demolimit të mjeteve të punës, si kamera dhe vetura, në katër komunat veriore, në maj dhe qershor 2023”, shprehet kryetari i AGK-së.
Rexha bën të ditur se gratë e përbëjnë pjesën më të madhe të numrit të punonjësve medialë në Kosovë, porse shton që numri i tyre që mbajnë pozita udhëheqëse mbetet i ulët.
“Ato (gratë) e bëjnë punën më të madhe dhe të rëndësishme në terren dhe janë më të shquarat në gazetarinë hulumtuese. Fatkeqësisht, numri i grave që udhëheqin mediat, qoftë nga pozita e pronares, drejtoreshës apo kryeredaktores, vazhdon të mbetet shumë i ultë dhe pothuajse simbolik”, thotë ai.
Sipas Rexhës, nga nëntë debate televizive që zhvillohen në prime-time nëpër televizionet kombëtare, vetëm dy udhëhiqen nga gratë.
“... dhe në njërin prej tyre prezantuesja grua e ndanë udhëheqjen me një burrë. Ambienti në të cilin gratë marrin pjesë në debate është toksik, dhe i dekurajon gratë që të marrin pjesë në diskutimin publik”, thotë Rexha.
Ai thekson se është përgjegjësi e drejtuesve të emisioneve dhe e redaktorëve të tyre që të krijojnë një ambient të barbarët për gratë në mënyrë që ato të marrin pjesë në këto diskutime.